Zgjaten hetimet për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi deri në 2 tetor. SPAK ka edhe tre muaj kohë për të dalë me konkluzionet nëse dosja për ish- kompleksin sportive Partizani të shkojë në gjykatë apo do të kërkohet një tjetër zgjatje hetimesh për të dyshuarit për korrupsion dhe pastrim parash.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, tha se vendimi është politik.
“Ka marrë kohë deri në 2 tetor. U çel seanca! Ne në dispozicion kishim informacionin dy mujor të hetimeve të SPAK, për të cilën jemi shprehur, pasi ne e kemi parë, Ky informacion mbështetet mbi një bazë dokumentare që ne nuk e disponojmë”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme vendosi që 12 fashikujt e hetuar përgjatë dy muajve kohe, t’u vihen në dispozicion me pagesë.
“Në 19 korrik do të marrim aktet. Gjyqtarja vendosi që aktet duhet të merren me pagesë. Ne na takojnë këto akte. Ata nuk e kanë problem të bëjnë fotokopje e të zgjidhet në fund detyrimi financiar. Duhet të jenë 12 fashikuj që janë përgatitur për këto dy muaj. Kolegu ka ardhur në Gjykatë dhe i kanë vendosur kusht që aktet të merren kundrejt pagesës. Ky nuk është problem dëshire për të mos paguar, por është problem standardit sepse sipas ligjit, shpenzimet gjyqësore në fund të gjykimit, kanë edhe praktikën e Beqajt që i kanë dhënë aktet. Ne i kemi të domosdoshme dhe nuk mund të na mohohen. Pse ka gabuar gjykata? Rruga e zvarritjes, bën atë që thotë SPAK, duan ta mbajnë këtë çështje”, shtoi Gjokutaj.
Po sot, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e bërë nga përfaqësuesit ligjorë të Berishës për të përjashtuar kolegjin e kësaj gjykate.
Kështu në datën 16 korrik beteja e ish- kryeministrit do të zhvendoset në këtë gjykatë nëse masa e arrestit në shtëpi e Berishës do të mbetet në fuqi apo do të revokohet.
Sali Berisha është izoluar në shtëpi prej 7 muajsh./vizionplus.tv