Standardet e Perëndimit dhe standardet e “pendimit” të opozitarëve

1 week ago 25

Nga Mero Baze

Pati sot një skenë para Kuvendit, që tregon gjithë kaosin e kauzës së opozitës. Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, u përballë me deputetët e opozitës në shkallët e Kuvendit jashtë tij, ndërkohë që ata po përpiqeshin të bllokonin hyrjen. I hapën rrugën ambasadorit që kishte nën sqetull Progres-raportin për Shqipërinë, që do ta dorëzonte në Kuvend.

Gjithë beteja e opozitës jashtë sallës Kuvendit dhe në gjashtë rrethrrotullimet e Shqipërisë, bëhet kundër SPAK që ka arrestuar Sali Berishën dhe Ilir Metën, kurse në gjithë Progres-raportin e BE për Shqipërinë, i vetmi që lavdërohet pa kushte është SPAKU, mes të tjerash edhe pse ka arrestuar Berishën e Metën, por pa i përmendur me emra. Thjesht ka lavdëruar çdo veprim të tij.

Tani nëse do të kishim një opozitë të qartë dhe të bindur kundër SPAK, jo vetëm që nuk duhet t’i kishte hapur rrugën ambasadorit Gonzato, por duhet të bëhej gardh para tij dhe t’i kërkonte llogari për SPAK, të cilin e quajnë vegël politike, pasi raporti i BE është raporti më certifikues i standardarteve të demokracisë në Shqipëri.

Opozita e ka humbur betejën pikërisht tek ai raport dhe jo në gjashtë rrethrrotullimet ku djeg goma.

Opozita nuk ka mundur t’i mbushë dot mendjen Bashkimit Evropian për atë që proteston në Shqipëri. Madje e kundërta. Ka arritur që Bashkimit Evropian t’i mbushet mendja që SPAK është arritja më e madhe.

Kjo përpjekja për të bërë sikur SPAK është i Edi Ramës dhe BE e SHBA janë të painformuar për të, është jo vetëm qesharake, por e pabesueshme dhe për vet ata, të cilët i hapën rrugë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian si avokat më i madh i SPAK, dhe bëjnë sikur ua ka fajin Edi Rama, qeveria e të cilit është në një hall më të madh se sa ata me SPAK.

Kjo e bën qesharake dhe gjithë mosbindjen civile të opozitës.

Meqë betejën e tyre kryesore e kanë të lidhur me veprimtarinë e SPAK, ata e kanë humbur atë betejë në Bruskel dhe Uashington, para se ta humbasin në Tiranë. Shpresa se mund ta fitojnë këtë betejë tek kthesa e Kamzës dhe rrethrrotullimi i Rrogozhinës, i bën ata të ngjashëm më Haxhi Qamilin, por jo njësoj me të, pasi ai së paku ishte i qartë që nuk i donte këta të “Avropit”.

Kurse këta tanët dhe e kanë luftën me institucionin më të mbështetur të Perëndimit në Shqipëri, që eshtë SPAK, dhe bëjnë sikur luftojnë për standardet e Perëndimit në Shqipëri. Ato standarde kanë çuar në burg disa deputetë, ish- ministra dhe dy ish- kryeministra e presidentë.

E kuptoj që gjithçka e bëjnë për një vend në listë, meqë e ka në dorë Berisha, dhe i servilosen atij. Por tani ose me standardet e Perëndimit që prangosin Berishën, ose me standardet e “pendimit” që u siguron emrin në listë prej Berishës.

Read Entire Article