Një sulm rus me bombë në qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, goditi një ndërtesë apartamentesh dhe një park lojrash, duke vrarë katër persona, duke përfshirë një fëmijë dhe duke plagosur të paktën 28 të tjerë, thanë autoritetet lokale.
“Pushtuesit vranë një fëmijë pikërisht në shesh lojërash”, tha Ihor Terekhov në Telegram.
Tre persona të tjerë u vranë në një ndërtesë apartamentesh 12-katëshe që mori flakë si rezultat i sulmit, shtoi ai.
Një video nga vendi i ngjarjes, e ngarkuar nga kreu i zyrës presidenciale Andriy Yermak, tregon flakë të mëdha dhe tym të zi të dendur që ngrihet nga katet e sipërme të ndërtesës.
“Rusët goditën përsëri civilët”, tha Yermak në një postim në Telegram.
Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, dhe zona përreth kanë qenë prej kohësh objektiv i sulmeve ruse, kryesisht duke përdorur bomba shumë shkatërruese.
Pas sulmit të sotëm, presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje përsëri aleatëve perëndimorë që të lejojnë Ukrainën të kryejë sulme me rreze të gjatë në bazat ajrore ushtarake ruse.
“Sulmi nuk do të kishte ndodhur nëse forcat tona të mbrojtjes do të kishin aftësinë të shkatërronin avionët luftarakë rusë në bazat e tyre”, tha Zelensky në një postim në aplikacionin Telegram.
Rusia mohon se synon qëllimisht civilët, por mijëra njerëz janë vrarë dhe plagosur nga sulmet e saj gjatë pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës. /vizionplus.tv