Sulmohet me dronë baza e bombarduesve strategjikë të Rusisë

7 months ago 20

Dronët ukrainas e kanë sulmuar të mërkurën një bazë ajrore të bombarduesve strategjikë të Rusisë, e cila ndodhet në afërsi të qytetit Engels në rajonin Saratov, thanë burime të inteligjencës ukrainase për Radion Evropa e Lirë.

Sulmi u planifikua dhe u krye nga Drejtoria Kryesore e Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës, sipas burimeve.

Baza ajrore, e njohur si Engels 2, është përdorur nga bombarduesit strategjikë rusë për ta sulmuar Ukrainën.

Burimet, që folën në kushte anonime, thanë se “caqet u goditën” nga dronët e prodhuar nga Ukraina dhe se janë duke u bërë vlerësime për rezultatin e këtij sulmi. Burimet nuk treguan se çfarë caqesh janë goditur dhe sa prej tyre janë goditur.

Më herët të mërkurën, guvernatori i rajonit rus Saratov, Roman Busargin, tha se një sulm me dronë në Engles u “zmbraps”.

Ai tha në Telegram se nuk raportohet për viktima apo dëme. Banorët e Engels raportuan në rrjetet sociale se i kanë dëgjuar së paku katër shpërthime në këtë qytet.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se katër dronë ukrainas u rrëzuan mbi rajonin Saratov dhe një tjetër mbi rajonin Belgorod.

Engels, i cili ndodhet rreth 700 kilometra larg kufirit me Ukrainën, ishte sulmuar edhe gjatë vitit 2022. Ndërkohë, së paku dy njerëz u vranë dhe disa të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimeve të pareshtura ruse ndaj caqeve civile në Ukrainë të mërkurën, thanë zyrtarët e ushtrisë ukrainase.

Ushtria ukrainase tha të mërkurën se 150 vendbanime në nëntë rajone – Çernihiv, Harkiv, Luhansk, Donjeck, Zaporizhja, Dnipropetrovsk, Herson dhe Mikolaiv – u sulmuan nga Rusia në 24 orët e fundit.

Top Channel

Read Entire Article