Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se lista zyrtare me futbollistët e grumbulluar nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho për finalet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” do të bëhet publike sot në orën 16:00.
Në të njëjtën orë trajneri brazilian do të dalë në një konferencë zyrtare për media në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” përballë gazetarëve ku do të flasë për listën e lojtarëve, përgatitjet, dy ndeshjet miqësore dhe finalet e “EURO 2024”, njofton Federata Shqiptare e Futbollit.
Lojtarët fillimisht do të grumbullohet në Shqipëri e më pas në fundin e muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë.
Kombëtarja i ka edhe dy ndeshje miqësore në program ndaj Lihtenshtajnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”.
Më datë 8 qershor kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe do t’i zhvillojnë përgatitjet për finalet e Europianit, në kampin bazë në SportCentrum Kaiserau, në afërsi të Dortmundit.
Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Evropianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor në takimin e parë ndaj Italisë, që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “Signal Iduna Park” (Dortmund).
Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas, më datë 19 qershor kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.
Ndërsa takimin e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.