Sektori i call center-ave ka parë një rënie vitet e fundit, teksa pak kohë më parë arriti kulmin në punësimin e të rinjve.
Ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha ka thënë në studion e “7pa5” se rënia e numrit të të rinjve në call center-a ka të bëjë me faktin e largimit të të rinjve nga Shqipëria.
Ajo tha se janë larguar pjesa më integrale e shoqërisë, të rinj të arsimuar dhe që dinë gjuhë të huaja.
“Fakti që ky sektor po shkon drejt një regresi, unë do doja që të rinjtë shqiptar most a shikojnë këtë lloj punësoimi si një mënyrë pasurimi të shpejtë. Mënyra e pasurimit të shpejtë është e gabuar. Fakti që ky sistem është në një krizë afatmesme i faturohet edhe largimit të të rinjve nga vendi ynë.
Krizën e largimi të të rinjve nga vendi ynë po e ndjen edhe sektori i call center-ave. Ka të bëjë me pjesën më integrale të rinisë shqiptare që janë edhe të arsimuar, por zotërojnë edhe disa gjuhë të huaja dhe kanë zgjedhur të largohen në vendet e Ballkanit Perëndimor apo Europës dhe kanë zgjedhur një formë tjetër të të punuarit jashtë vendit.
Janë një kategori me integritet e rinisë shqiptare sepse jo vetë që janë të arsimuar, por njohin edhe disa gjuhë të huaja”, tha Hoxha.
Ekspertja vuri në dukje se këtë krizë po e përjetojnë edhe sektorët e tjerë, teksa shtoi se sipas saj call centera-t i sjellin më shumë dëm ekonomisë shqiptare, pasi të rinj të aftë që mund të ishin të punësuar në administratën shtetërore, qëndrojnë në këtë sektor.
Ajo bëri gjithashtu me dije se paga mesatare për dikë që punon më shumë se 8 orë në një call center shkon nga 150 deri në 200 mijë lekë të reja.
“Pagesat janë të ndryshme, në varësi të orarit të punës, ka nga ata që punojnë me 8 orë, por ka që punojnë 12 dhe më shumë.
Rroga mesatare mujore shkon 150 deri në 200 mijë lekë të reja nëse punojnë më shumë se sa 8 orë”, tha ekspertja. /vizionplus.tv