Një shpërthim tritoli vendosur në një banesë në lagjen ‘Tre Heronjtë’ ka tronditur qytetin e Shkodrës. Fatmirësisht nuk ka njerëz të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale. Lënda plasëse ishte vënë në derën e banesës së biznesmenit Ardian Fierza.
Sipas policisë shpërthimi ndodhi rreth orës 02:45 duke alarmuar familjarët dhe banorët e zonës. Deri më tani blutë nuk kanë arritur të identifikojnë autorin, ndërkohë janë sekuestruar kamerat e sigurisë të cilat pritet të ndihmojë hetuesit në zbulimin e tij.
Ardian Fierza është marrë në pyetje dhe si ka thënë se nuk e di se kush mund të jetë autori pasi nuk ka konflikte me të tjerë.
Por në muajin gusht të këtij viti, Ardian Fierzës iu vendos një sasi tjetër tritoli, jo në banesën, por në biznesin e tij. Eksplozivi shpërtheu në agjencinë funerale që Fierza ka në pronësi me bashkëshorten e tij.
Dy ditë pas kësaj ngjarjeje policia arriti që të identifikojë autorin e dyshuar duke shpallur në kërkim Benard Pllumbaj 35-vjeç.
Sipas hetimeve shkak për shpërthimin e parë dyshohet të ketë qënë një borxh i pashlyer që Fierza i kishte autorit. Edhe vendosja e tritolit në oborrin e banesës dyshohet se ka lidhje me ngjarjen e parë. /vizionplus.tv