Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange nis sot betejën përfundimtare ligjore në Mbretërinë e Bashkuar për të shmangur ekstradimin në SHBA

8 months ago 11

Themeluesi i WikiLeaks, i cili është paditur për 18 akuza në SHBA, mund të përballet me ekstradim nëse gjykata e Londrës vendos kundër tij.

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange po përballet me atë që mund të jetë seanca e tij e fundit gjyqësore në Mbretërinë e Bashkuar për të shmangur ekstradimin në SHBA për akuzat për spiunazh.

Gjykata e Lartë në Londër do të dëgjojë dy ditë argumente duke filluar nga sot nëse 52-vjeçari,  i cili po lufton ekstradimin për më shumë se një dekadë, mund të bllokojë transferimin e tij në SHBA.

Gazetari australian është e burgosur në burgun HM Belmarsh që prej prillit të vitit 2019, pasi kishte kaluar vite të tëra në mërgim në Ambasadën Ekuadoriane në kryeqytetin britanik.

Assange është akuzuar për 18 akuza për publikimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara në vitin 2010 në Wikileaks, të cilat ekspozuan krimet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan.

Mes akuzave, ka 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuterik.

Ekstradimi i tij tashmë është bllokuar një herë në vitin 2021 nga një gjykatës në Londër, sepse gazetari australian kishte gjasa të vriste veten nëse mbahej në një burg amerikan.

Avokatët e Assange pritet të kërkojnë nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që të lejojnë një seancë të re apeli për klientin e tyre.

Nëse dy gjyqtarët, Victoria Sharp dhe Jeremy Johnson vendosin kundër gazetarit, atëherë ai mund të apelojë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të bllokuar ekstradimin e tij.

Mbështetësit e tij kanë frikë se ai mund të ekstradohet në SHBA përpara se të mund të apelojë në Gjykatën Evropiane dhe kanë premtuar dy ditë protesta përpara Gjykatës së Lartë në Londër.

“Kjo seancë shënon fillimin e fundit të çështjes së ekstradimit, pasi çdo bazë e refuzuar nga këta gjyqtarë nuk mund të apelohet më tej në MB, duke e sjellë Assange rrezikshëm pranë ekstradimit”, tha grupi i lirisë së shtypit, Reporterët pa Kufij.

Parlamenti australian bëri thirrje që gazetari të kthehej në vendin e tij javën e kaluar.

“Pavarësisht se ku qëndrojnë njerëzit, kjo gjë nuk mund të vazhdojë dhe të vazhdojë pafundësisht”, tha kryeministri Anthony Albanese.

Top Channel

Read Entire Article