“Ka edhe gra të tjera të përfshira në këtë mes. Gennaro Sangiuliano është larguar prej kohësh nga e shoqja. Bën mirë të thotë të vërtetën, ose unë pastaj do t’i hap të gjitha letrat që kam në dorë”.
Gruaja e përfshirë në aferën e ministrit të dorëhequr italian të kulturës, komentoi largimin e tij nga posti, duke i kujtuar se të gjithë këtë situatë mund ta kishte shmangur nëse do të thoshte të vërtetën që në fillim. Ish-bashkëshorti i Maria Rosaria Boccia sakaq është bërë dhe ai pjesë e debatit me një deklaratë bombë: “Më vjen keq për ministrin, sepse nuk ia pret mendja se çfarë e pret nga ajo femër!”
Komentet e tij, ai i bëri në programin “4 di Sera”, të drejtuar nga Paolo Del Debbio. Sangiuliano u detyrua të japë dorëheqjen, pasi e dashura e tij pretendoi se i kishte dhënë asaj një punë si këshilltare në qeveri e se kishin zhvilluar edhe udhëtime me paratë e buxhetit të shtetit. Në letrën e paraqitur, ministri falenderonte shefen e ekzekutivit për mbrojtjen që i kishte bërë pasi fillimisht, ajo nuk e pranoi dorëheqjen e tij. 62-vjeçari kishte pasur një lidhje me një influencuese të medieve sociale, më shumë se 20 vite më të vogël se ai.
Më 26 gusht, 41-vjeçarja Maria Rosaria Boccia kishte bërë një postim në Instagram për ta falënderuar për emërimin e saj si këshilltare për evente të mëdha, përfshirë një takim të ministrave të Kulturës të G7-s, të planifikuar për në fund të shtatorit në Pompei.