Prefekti i Vlorës Vlorës, Vangjel Tavo, u paraqit mëngjesin e kësaj të marte në ambientet e SPAK.
Pas daljes nga SPAK, Tavo tha për gazetarët se u pyet në cilësinë e personit, që ka dijeni për një kallëzim qe ka bërë në vitin 2021.
“Isha në cilësinë e personit që ka dijeni për një kallëzim që kam bërë në vitin 2021”, tha Vangjel Tavo.
Vangjel Tavo mori postin e prefektit të Vlorës në mars të këtij viti. Ish deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim zëvendësoi në detyrë Flamur Mamaj.
Në ditët e para të janarit emri i Vangjel Tavos u shfaq në të përditshmen greke “Kathemirini”. Ajo pretendonte se kryeministri Edi Rama i kishte propozuar për të marrë drejtimin e përkohshëm të bashkisë së Himarës. Sipas gazetës, kjo lëvizje do të shërbente në zgjidhjen e ngërçit me Greqinë për shkak të çështjes “Beleri”.
Lajmi i publikuar në “Kathemerini” u mohua nga Edi Rama dhe Vangjel Tavo./vizionplus.tv/