Nga Enkelejda Mema
Vendimi i marrë me kohë nga Edi Rama për procedurë kaloi edhe në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste. Pas tre muajsh si prefekt i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo, do të ndryshojë kostumin politik, tanimë ai është zyrtarisht kandidati i socialistëve në zgjedhjet e 4 gushtit për kryebashkiakun e ri të Himarës.
“Është një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, asaj krahine. Do të kemi një garë të qetë elektorale dhe ne shkojmë për të pasur një rezultat jashtëzakonisht pozitiv në bashkinë e Himarës”, tha sekretari i përgjithshëm i PS Blendi Klosi.
Ndryshe nga socialistët, demokratët nuk e kanë ende kandidatin e tyre. Në vendoret e majit të një viti më parë opozita e fitoi bashkinë e Himarës, por Fredi Beleri nuk u ul asnjëherë në karrigen e kryebashkiakut pasi u dënua me burg për krime zgjedhore.
Përveç ecjes shpejt me zyrtarizimin e minoritarit grek Vangjel Tavos si njeriu që socialistët besojnë se do t’i rikthejë fitoren në Himarë por edhe të lehtësojë komunikimin e ngrirë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare për shkak të çështjes “Beleri”, kryesia mori edhe një vendim tjetër. Kongresi i socialistëve u shty, ai do të zhvillohet në 27 korrik. Arsyeja e zhvendosjes së datës nuk u zbulua nga Blendi Klosi, sekretari i përgjithshëm i PS.
“Është një kongres zgjedhor ku do të zgjidhet asambleja e re kombëtare e PS, forumet e saj më të larta, por do të ketë edhe diskutime për situatën ky vizioni Shqipëria 2030 po funksionon edhe çfarë kemi realizuar në këtë aspekt”, shtoi Klosi.
Me hedhjen në garë të emrit Vangjel Tavos, kryeministri Edi Rama udhëton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai do të marrë pjesë në samitin për 75 vjetorin e themelimit të NATO-s./vizionplus.tv