Pas Preshevës, Erion Veliaj është shpallur “Qytetar Nderi” edhe nga Komuna e Bujanocit në shenjë falënderimi për financimin e përmirësimit të kushteve infrastrukturore në shkollën fillore “Naim Frashëri”.
“Kryeqyteti i Tiranës nën drejtimin e Veliajt në vitin 2023 ka qenë “Qyteti Europian i Sportit”, ndërsa në vitin 2024 kryeson presidencën e B-40, rrjetit më të madh të bashkive të Ballkanit, ndërsa në vitin 2025 Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, si një testament i bashkëjetesës së kulturave dhe feve të ndryshme, janë argumente të mjaftueshme, ndërlidhëse të bashkëpunimit mes Bujanocit dhe Tiranës”, tha Enver Ramadani, kryetar i Komunës së Bujanocit.
Bashkia e Tiranës ka kontribuar më herët edhe në shkollën “Dituria” në Komunën e Preshevës.
“Kryebashkiaku Veliaj ka bërë një hap tejet të rëndësishëm për fëmijët tanë. Po ua bën ëndrrën realitet, duke mbështetur në tërësi projektin e ngritjes së e palestrës sportive të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc me vlerë prej 550 mijë eurove, duke treguar bashkëpunimin dhe gatishmërinë që të mbështesë komunën tonë në forma të drejtpërdrejta”, shtoi ai.
Edhe në vitin 2021, Tirana ofroi ndihmë financiare për Luginën pas dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet masive. /vizionplus.tv