Presidenti Joe Biden po kritikon vendimin e Gjykatës së Lartë, që u jep ish presidentëve imunitet të gjerë nga ndjekja penale për aktet zyrtare gjatë kohës në detyrë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, vendimi i gjykatës nuk e rrëzon çështjen e ngritur kundër zotit Donald Trump për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020, por thjesht e shtyn atë.
Presidenti Joe Biden e kritikoi vendimin e Gjykatës së Lartë, në bazë të të cilit, ish presidentët nuk mund të ndiqen penalisht për asnjë veprim të ndërmarrë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Vendimi lidhet me pretendimet e ngritura për përfshirjen e ish Presidentit Donald Trump në trazirat e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.
“Populli amerikan duhet të vendosë nëse sulmi i Donald Trump-it ndaj demokracisë sonë më 6 janar, e bën atë të papërshtatshëm për poste publike, në zyrën më të lartë në vend. Populli amerikan duhet të vendosë nëse është e pranueshme mbështetja e Trump-it ndaj dhunës për të ruajtur pushtetin e tij”, tha Presidenti Biden.
Ish presidenti reagoi në faqen e tij në internet përmes një postimi të ndarë më parë në rrjetet sociale ku thuhej, “Gjykata e Lartë çmontoi plotësisht shumicën e akuzave kundër meje. Joe Biden tani duhet të tërheqë ‘lakenjtë’ e tij. Vendi ynë tani duhet të përqendrohet sërish te madhështia”.
Gjykata e Lartë nuk e rrëzon çështjen e ngritur ndaj zotit Trump për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, në të cilën akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të fituara nga demokrati Biden.
Profesori Harold Krent nga shkolla juridike Chicago-Kent thotë se veprimet e zotit Trump në lidhje me 6 janarin përfshijnë akte zyrtare dhe jozyrtare, për të cilat ai mund të ndiqet penalisht.
“Në rastet kur ai vepronte si kandidat privat kemi të bëjmë me akte jozyrtare. Por në rastet kur ai bisedoi me nënpresidentin se çfarë duhet të bënte ai në Senat, kur bisedonte me Departamentin e Drejtësisë nëse kishte apo jo manipulime në votime, këto janë veprime zyrtare”, thotë profesori Harold Krent.
Ngjarjet e 6 janarit zunë hapësirë të vogël në debatin e parë presidencial. Trazirat në Kapitol mund të bëhen një çështje madhore nëse fushata e zotit Biden i mëshon këtij problemi, thotë profesori i shkencave politike në Universitetin George Mason, David Ramadan.
“Barra bie mbi fushatën e Biden-it që t’ua kujtojë këtë votuesve të pavarur, dhe kështu çështja ka rëndësi të madhe për ta. Në të kundërtën, tre vjet më vonë dhe problemet e përditshme bëjnë që njerëzit t’i harrojnë këto gjëra dhe të kenë shqetësime të tjera”, thotë profesori Ramadan.
Ndërsa elektorati amerikan është tejet i polarizuar në të dy krahët, fituesi i zgjedhjeve mund të përcaktohet nga votuesit e pavarur.
“Të pavarurit janë të vetmit që mund të ndryshojnë mendjen dhe të përcaktojnë fituesin. Gratë përbëjnë shumicën e këtij grupi. Të rinjtë po ashtu mund të ndryshojnë qëndrim, por nuk janë votues të sigurtë”, thotë profesori i shkencave politike në Universitetin George Mason, David Ramadan.
Çështja e ngritur ndaj zotit Trump për ndërhyrje në zgjedhje ka gjasa të vazhdojë, me një gjykatë më të ulët që duhet të marrë vendime kyçe në lidhje me akuzat e duhura pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që gjyqi të zhvillohet para përfundimit të zgjedhjeve.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë i shtyn procedurat ligjore. Nëse ky ishte objektivi i ekipit të Trump-it, atëherë e arritën qëllimin”, thotë Profesori Harold Krent nga shkolla juridike Chicago-Kent.
I takon ekipit zgjedhor të Presidentit Biden që të vendosë nëse do ta bëjë 6 janarin një çështje madhore të fushatës apo jo./VOA