Një punonjës i Gardës së Republikës ka denoncuar në polici se një person i ka hyrë në banesë dhe mes sendeve që i kanë vjedhur është edhe arma e shërbimit, e llojit pistoletë.
Denoncimi është bërë nga 36-vjeçari, Dhimitër Prifti, i cili është paraqitur në komisariatin numër një të kryeqytetit, ku veç kallëzimit ka dorëzuar si prova materiale edhe dy video. Siç shihet në këto pamje, personi që dyshohet se i ka grabitur armën e shërbimit mban veshur tuta me ngjyrë gri dhe një kapuç mbi kokë.
Ai afrohet në dritaren e banesës së gardistit, qëndron për pak çaste duke këqyrur nëse ka apo jo njeri brenda saj. Në një moment ai drejtohet me fytyrë nga kamera e sigurisë dhe më pas vepron duke hyrë brenda. Sipas këtyre pamjeve, atij i kanë mjaftuar pak sekonda për të kryer grabitjen dhe del sërish nga dritarja. Në momentin e largimit, grabitësi e shmang kamerën duke mbuluar me duar fytyrën.
Policia ka nisur hetimet, ndërsa mësohet se mes pistave të mundshme është edhe ajo e grabitjes nga një person i njohur me punonjësin e gardës. Këto dyshime lindin nga tre faktorë. Së pari, qeni që i afrohet grabitësit para se të hyjë në banesë dhe nuk i leh. Së dyti, veprimet e përpikta të grabitësit, që siç tregohet në video është në dijeni të dritares ku do hyjë, si edhe të vendit ku ndodhet pistoleta.
Top Channel