Vodhën 14 kuaj, arrestohen autorët

7 months ago 28

Policia ka zbardhur vjedhjen e kryer më datë 06.03.2024, në Qafë Muzinë dhe ka identifikuar 4 autorët e dyshuar. 2 nga të arrestuarit ishin me precedent të mëparshëm kriminal për vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetase, se i kishin vjedhur disa kuaj, në biznesin e saj, në Qafë Muzinë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe i bashkëpunimit me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

– R. Ç., 40 vjeç, banues në Lukovë, Sarandë;
– A. R., 22 vjeç, banues në fshatin Shën Vasil, Himarë;
– N. M., 39 vjeç dhe R. Th., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Nivicë, Himarë, të dy me precedent të mëparshëm kriminal për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 06.03.2024, kanë vjedhur në një biznes në Qafë Muzinë, 14 kuaj, të cilët më pas i kanë transportuar me një kamion, në drejtim të Sarandës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kuajt e vjedhur dhe kamioni. /vizionplus.tv

Read Entire Article