Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka udhëtuar mëngjesin e sotëm drejt vendeve baltike, ku do të zhvillojë një tur vizitash dhe takimesh në Letoni, Estoni dhe Lituani.
Mësohet se gjatë kësaj vizite kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë takime me Presidentët e shteteve baltike, kryeministrat dhe krerët e parlamenteve.
Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Shqipërisë ndërmerr një tur të tillë vizitash në vendet baltike.
Më herët zyra e shtypit e Presidencës njoftoi se në takimet me homologët, kryeministrat dhe krerët e parlamenteve në fokus të bisedave do të jetë intensifikimi i marrëdhënieve me secilin nga këto shtete si aleatë në NATO, integrimin e Shqipërisë në BE, proceset integruese euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor, roli i aktorëve të tretë etj. /Vizionplus.tv/