Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se ka shpenzuar shuma marramendëse për të shpërndarë lajme të rreme që lidhen me luftën.
Gjatë një interviste për CNN, Zelensky ka komentuar edhe qëndrimet e fundit të ish presidentit Donald Trump, në përkrahje të Rusisë. Sipastij, Trump do të jetë kundër amerikanëve nëse zgjedh të mbështesë Moskën në lidhje me luftën në Ukrainë.
Trump, që deri më tani është kandidati potencial nga republikanët për garën presidenciale, nuk ka pranuar të jap asnjë mendim se kush do e “fitojë” luftën, mes Rusisë dhe Ukrainës. Por pavarësisht kësaj, Zelensky shton se Trump nuk i kupton qëllimet e Putinit.
“Unë mendoj se Donald Trump nuk e njeh Putinin. E di që e ka takuar, por kurrë nuk ka luftuar me Putinin. Ushtria amerikane nuk ka luftuar kurrë me ushtrinë ruse. Nuk mendoj se ai e kupton se Putini nuk do të ndalet kurrë”, ka thënë ai.
Zelensky më tej ka thënë se ka biseduar me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson për paketën e ndihmës dhe është ndjerë optimist pas asaj bisede.
“Tha se do të bëjë gjithçka për ta mbështetur Ukrainën. Ai është në anën tonë dhe e kupton se sa heroikë janë njerëzit tanë, ushtarët dhe civilët tanë”, është shprehur ai.
Fryrja e numrit të viktimave ukrainase është vetëm një shembull se si Rusia po përhap lajme të rreme, tha presidenti. Të dielën, Zelensky zbuloi për herë të parë numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë në konflikt deri më tani janë 31,000./vizionplus.tv