Zgjebja/ Ministria e Shëndetësisë qetëson qytetarët: Nuk ka shpërthim epidemiologjik!

3 hours ago 18

Ministria e Shëndetësisë pranon qarkullimin e parazitit të zgjebes në popullatë, por thotë se situata nuk është alarmante.

Pas shqetësimit të ngritur dy ditë më parë nga dermatologët për shtimin e rasteve nga një mutacion i ri i zgjebes në vendin tonë, mjekë të tjerë specialistë në QSUT janë përpjekur të qetësojnë situatën, shkruan A2.

Në daljen për mediat, dermatologia Entela Shkodrani, mjeke në Shërbimin e Dermatologjisë, thotë se shqetësues është moszbatimi i protokollit të mjekimit nga pacientët e prekur me zgjebe.

Sipas dermatologëve, nëse një person diagnostikohet me zgjebe, e gjithë familja duhet të mjekohet njëherësh, pavarësisht nëse kanë apo jo shenja. Higjiena e trupit dhe e rrobave është mjaft e rëndësishme para dhe pas mjekimit. Dermatologët rrëzojnë mitin se kjo sëmundje zhvillohet tek individë me higjienë të ulët.

Sipas tyre, paraziti i Skrabies apo Zgjebes prek çdo person, në çdo moshë dhe stinë të vitit. Sëmundja transmetohet përmes kontakteve të ngushta, kryesisht në familje apo në çift, ndaj gjatë mjekimit të sëmundjes rekomandohet higjienë e shtuar. Shenjat e para të zgjebes nisin me kruarje në bark dhe në duar, të cilat bëhen më të forta gjatë orëve të natës.

Neglizhimi i mjekimit shton rrezikun për shfaqjen e ekzemës dhe problemeve të tjera të lëkurës, si dhe bëhet burim infeksioni për personat e tjerë.

Read Entire Article