Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, duke folur në Asamblenë e PS, sqaroi arsyet e shtyrjes së dy takimeve me shqiptarët e diasporës të parashikuara në qershor dhe Korrik të cilat do të zhvilloheshin në Gjermani dhe në Angli.
Rama tha se arsyeja e shtyrjes së takimit me shqiptarët e Anglisë lidhet me zgjedhjet e parakohëshme në Britani.
Sipas tij edhe pse ky takim nuk kishte lidhje me zgjedhjet e brendshme në Britani, mbetet sërish një takim politik, i cili do të zhvillohet në muajin shtator.
Ndërsa për takimin e Dyseldorfit Rama theksoi se përkonte afër me ndeshjen e kombëtares, dhe nuk do donte që dy gjëra të ngatërroheshin me njëra tjetrën, duke paralajmëruar se edhe takimi në Gjermani do të zhvillohet në shtator.
Gjithashtu Rama njoftoi se pas përfundimit të këtyre dy takimeve do të organizohet edhe një tur takimesh në SHBA.
“Turi do të vazhdojë në shtator. Për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër, u bë problem më vete salla që kishim prenotuar më parë. Në një situatë zgjedhore, është normale që ne të shmangnim një takim, edhe pse nuk ka lidhje me zgjedhjet në Britaninë e Madhe. Po kështu duke qenë se parashikimi apo përgatitja për të bërë takimin tjetër të Dyseldorfit në një moment shumë afër me ndeshjen e kombëtares, nuk do donim të krijohej ideja e përzierjes së dy gjerave, edhe pse takimi ishte organizuar. Prandaj në shtator do të ndërmarrim përsëri turin dhe do të zhvillojmë takimin në Gjermani dhe Britani, do të organizojmë një takim edhe në SHBA”, tha Rama.