Zhvati 570 mijë euro përmes mashtrimit, dënohet me 5 vite burg ish-punonjësia e Bankës së Shqipërisë

5 months ago 19

Me 5 vite burgim është dënuar ish-punonjësia e Bankës së Shqipërisë Milena Deraj, e cila akuzohet se ka zhvatur 570 mijë euro përmes mashtrimit. Ky vendim u mor këtë të enjte nga Gjykata e Apelit, duke rrëzuar në këtë mënyrë ankimimin e Derajt. Shkalla e Parë e dënoi Derajn me 7 vite e 6 muaj burgim, nga të cilat me gjykim të shkurtuar, Deraj do të vuajë 5 vite burg. Ajo kërkoi nga Apeli që dënimi t’i pezullohej dhe vënien në provë, gjë e cila nuk është pranuar nga Gjykata e Apelit, duke lënë në fuqi Shkallën e Parë.

Viktima e parë ka qenë shoqja e saj Elira Shyti, të cilës i ka marrë në total 225 mijë euro me premtimin e investimit në bono thesari.

Fillimisht Shyti i ka dhënë shumën e parë me një transaksion në vlerën e 47 mijë eurove. Transaksionin e dytë e ka realizuar në një bankë tjetër të nivelit të dytë në shumën prej 20 mijë eurosh.

Në dëshmi Shyti është shprehur se pjesën tjetër të parave ia ka dhënë dorazi Milenës në banesën e saj.

Sipas saj, shumat e eurove ia ka dorëzuar me pjesë pasi i siguronte borxhe tek të afërmit. Duke parë se Deraj po i vononte kthimin dhe fitimin e shumave të parave, Shyti i ka kërkuar shoqes së saj që të firmosin një deklaratë noteriale, të paktën të kishte të dokumentuar shumën prej 225 mijë eurosh që i kishte dhënë në total. Madje Shyti kishte takuar edhe bashkëshortin e Milena Derajt, Genci Deraj. Ky i fundit punon në Kryeministri dhe kishte siguruar viktimën se do i kthejnë të gjitha paratë.

Edhe për rastin e dytë, ku Milena Deraj dyshohet se i ka marrë tre të kërkuarve nga drejtësia 340 mijë euro, ka qenë në mes Elira Shyti. Kjo e fundit ka prezantuar Milena Derajn me Afërdita Ferracakun. Pas njohjes, Deraj i ka thënë se njeh një avokat të mirë që mund të ndihmojë Hasan, Shyqyri dhe Abedin Verracakun .

Sipas Derajt, avokati i ka kërkuar 340 mijë euro, duke i thënë se Prokuroria ka prova të forta për Verracakët në lidhje me masakrën e Velipojës, por pas shumave të parave, mund t’i ndihmojë në gjykim të shkurtuar duke shpëtuar nga burgimi i përjetshëm.

Pasi familja Verracaku ka rënë dakord, janë takuar tre herë me Milena Derajn, ku i kanë dhënë asaj në total 340 mijë euro. Nuk ka kaluar shumë kohë dhe familja Verracaku ka kuptuar se janë mashtruar nga ish-zyrtarja e Bankës së Shqipërisë dhe i kanë dërguar mesazhe kërcënimi duke i thënë që mos të dalë nga Shqipëria as ajo as djali i saj, pa kthyer të gjithë shumën që u kishte marrë./vizionplus.tv

Read Entire Article