Në Kampusin e Kolegjit të Europës në Tiranë janë pritur 32 të rinj nga 21 vende të ndryshme të Europës, të cilët do të studiojnë në kryeqytet gjatë vitit akademik 2024-25.
Kryebashkiaku Veliaj dha lajmin se, Bashkia e Tiranës, përveç kontributit në krijimin e kushteve të mira për studentët, ka kontribuuar me tre bursa për tre të rinj ekselentë shqiptarë.
“Shekullit të 21, gjithnjë e më shumë po i referohemi si shekulli i qyteteve. Pra, njerëzit thonë “Kolegji i Tiranës”, jo më “Kolegji në Republikën e Shqipërisë”. Ne i lidhim këto ngjarje me qytetet, më shumë se sa me shtetet. Prandaj, edhe vendosëm që, përveç ndihmës në krijimin e infrastrukturës së kolegjit, të kontribuojmë edhe me tre bursa”, tha Veliaj.
Ministrja e Arsimit Manastirliu theksoi se hapja e Kolegjit e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve që ofrojnë standarde të larta arsimore.
“Me Kolegjin e Europës, Europa është këtu. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë moment për të falënderuar të gjithë ata që u bënë pjesë e kësaj sfide: Së pari, Bashkimin Evropian dhe Komisionin Evropian për mbështetjen, Kolegjin e Europës për pranimin e ftesës për të vendosur praninë e tij në Tiranë, duke njohur potencialin që ka Shqipëria dhe ndikimin e saj në rajon”, deklaroi Manastirliu.
32 studentët që janë pjesë e Kolegjit të Europës, i cili do të çelë dyert për herë të parë në Tiranë, do të ndjekin studimet në fushën e Transformimeve Europiane dhe Studimet e Integrimit. /vizionplus.tv