34 qendra shëndetësore verore, do të vendosen kryesisht në bregdet në shërbim të pushuesve

5 months ago 19

Sezoni veror e ka treguar që është sfidues sa i takon përballimit të urgjencave mjekësore ku mbizotërojnë traumat e shkaktuara nga aksidentet, shqetësimet nga sëmundjet e zemrës por edhe nga konsumimi i alkoolit si dhe substancave narkotike.

Në këto kushte, gjatë këtij sezoni turistik qendra kombëtare e urgjencës përforcohet me 34 qendra shëndetësore verore që do të operojnë në të gjithë vendin.

“Nga Vlora në Sarandë kemi vetëm Himarën dhe këto qendra shëndetësore verore janë bërë si spitale, se një qendër që bën rreth pesë mijë vizita në sezon, është gati një spital bashkiak”, tha Skënder Brataj, drejtor i qendër kombëtare të urgjencës.

Shefi i qendrës kombëtare të urgjencës, Skënder Brataj nënvizon se integrimi për herë të parë i motoambulancave është një element kyç për të shpëtuar jetën e pacientëve.

“Ekipet janë mjek-infermier të cilët kanë defribilatorin përmes të cilit bëjnë elektrokardiogramin, goditjen elektrike, diagnostikimin e një infarkti por edhe çantën e ndihmës së shpejtë me medikamentet përkatëse. Një në njëmijë persona në vit vdesin në mënyrë të papritur që do të thotë se në Shqipëri tre mijë persona humbin jetën në mënyrë të papritur. Në tre mijë veta, vetëm nga infarkti 85% të tyre kanë nevojë për goditje elektrike”, tha Brataj.

Ministrja e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, Albana Koçiu drejtoi një thirrje ndaj bluzave të bardha që t’i bashkohen ekipeve mjekësore për të përballuar fluksin në qendrat urbane dhe zonat bregdetare

“Do ta rrisë akoma më shumë nivelin e shërbimit që ofron qendra kombëtare e urgjencës e cila është një shembull ekselence në Tiranë, duke krijuar një simotër paralele këtu në qytetin e Vlorës. Lajmi i mirë është që edhe stafi është përforcuar, deri më tani i janë përgjigjur thirrjes të paktën 300 aplikantë”, tha ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.

Qendrat shëndetësore, spitalet rajonale gjithashtu do të jenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur ngarkesës së turistëve dhe pushuesve./vizionplus.tv

Read Entire Article