A është fitorja e të djathtëve në Francë pikë kthese për Evropën?

4 months ago 25

Partia e së djathtës ekstreme në Francë, Tubimi Kombëtar, e arriti një fitore bindëse në rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare.

Nëse e fiton një shumicë dërrmuese në balotazhin e 7 qershorit, Franca do ta ketë një qeveri të së djathtës ekstreme për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore.

Ky rezultat shënon një dështim tjetër për Emmanuel Macronin, i cili e shpërndau Parlamentin dhe thirri zgjedhjeve të parakohshme në përpjekje për ta ndaluar përparimin e së djathtës ekstreme.

Madje, edhe nëse balotazhi nuk prodhon një qeveri të Tubimit Kombëtar, kjo është mbase trazira më e madhe politike që e ka kapluar Francën në dekada.

Pasi asnjë parti nuk e fitoi një shumicën në Asamblenë Kombëtare me 577 ulëse, dhomën e ulët të Parlamentit të Francës, pyetja kryesore është nëse Tubimi Kombëtar mund ta sigurojë një shumicë dërrmuese prej 289 ulëseve në balotazh.

Tashmë kanë nisur përpjekjet për të formuar “fronte republikane” – aleanca kundër Marine Le Penit, që kanë për qëllim ta parandalojnë Tubimin Kombëtar nga sigurimi i shumicës. Macron u ka bërë thirrje mbështetësve të aleancës së qendrës, e cila doli e treta në rundin e parë me rreth 20 për qind, që t’i mbështesin “qartazi kandidatët republikanë dhe demokratë” në zonat elektorale ku partia e tij doli e treta.

Ngjashëm, edhe Jean-Luc Melenchon, lideri i partisë majtiste Franca e Panënshtruar, pjesë e koalicionit Fronti i Ri Popullor që doli i dyti, njoftoi se aleanca e tij do t’i tërheqë kandidatët të cilët zunë vendin e tretë në rundin e parë, për të mbledhur vota kundër Le Penit.

Eric Maurice, analist politik nga Qendra Evropiane për Politika, tha se “gjithçka do të varet nëse do të ketë pajtim mes të majtës dhe qendrës për t’i tërhequr kandidatët të cilët zunë vendin e tretë dhe u kualifikuan për balotazh. Sa më shumë që ndodh kjo, aq më pak do të jetë në gjendje Tubimi Kombëtar për ta siguruar shumicën”.

Mbase rezultati më i mundshëm, posaçërisht duke e parë fushatën e fuqishme kundër Le Penit, do të ishte fitorja e Tubimit Kombëtar, por pa siguruar shumicën dërrmuese, duke bërë që askush të mos e ketë shumicën në Parlament dhe të ketë ngërç politik. Ky skenar do t’i vinte përballë djathtistët kundër majtistëve në Parlament, gjë që do të vështirësohej kalimi i ligjeve.

Nëse Tubimi Kombëtar e fiton një shumicë dërrmuese, atëherë do ta ketë mundësinë ta zbatojë agjendën e vet nacionaliste, nativiste dhe konservatore dhe, sipas Maurice, “kjo mund ta rrezikojë sundimin e ligjit në Francë”.

Një skenar tjetër do të mund të ishte qeveria e udhëhequr nga Ensemble, koalicioni i formuar rreth partisë së Macronit.

Megjithatë, redaktori për Evropë në Radion Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak, thotë se nuk është i sigurt se Macroni “mund të arrijë çfarëdo lloji uniteti qeveritar me një kryeministër teknokratik, siç po shpresojnë disa. Dhe nëse e arrin, atëherë do të jetë një i paqëndrueshëm që mund të rrëzohet lehtësisht”.

Paraqitja e mirë e Tubimit Kombëtar në zgjedhje tregon se sa efektive ka qenë përpjekje e Marine Le Penit për ta pastruar partinë nga babai i vet, Jean-Marine Le Pen, për ta bërë atë më joshëse për votuesin mesatari në Francën shumëkulturore.

Pasi e mori në dorë partinë më 2011, Marine Le Pen e ka ndryshuar emrin e partisë nga Fronti Kombëtar dhe është përpjekur ta pastrojë atë nga elementet e saj antisemitike dhe neonaziste. Ajo madje e përjashtoi babanë e vet, i cili ka një histori të gjuhës nxitëse kundër emigrantëve dhe i cili në një kohë tha se kampet e koncentrimit ishin një “hollësi e historisë”.

Megjithatë, edhe nëse Tubimi Kombëtar e fiton balotazhin, pushteti i kësaj partie do të jetë i kufizuar, prapëseprapë.

Franca ka një sistem gjysmëpresidencial, në të cilin presidenti dhe kryeministri e ndajnë pushtetin. Kryeministri dhe kabineti janë përgjegjës për kryerjen e detyrave të përditshme qeveritare dhe politikave të brendshme, ndërsa presidenti mbikëqyr sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme, si dhe e përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare.

Jordan Bardella, bashkudhëheqësi i pasfiduar i Tubimit Kombëtar, do të bëhej kryeministër, duke e ndarë pushtetin me presidentin Macron.

Nëse ndonjëherë Bashkimi Evropian e ka pasur mundësinë për të lëvizur kah e djathta, tani e ka kohën. Hungaria, e udhëhequr për më shumë se një dekadë nga partia konservatore e Viktor Orbanit, Fidesz, sapo e ka nisur kryesimin gjashtëmujor të presidencës së BE-së. Për më tepër, partitë e së djathtës ekstreme kanë shënuar fitore të mëdha në zgjedhjet për Parlament Evropian më 6-9 qershor, që është shenjë e rritjes se ndjesive nacionaliste dhe populiste nëpër 27 vendet anëtare të BE-së.

Ndikimi i Tubimit Kombëtar mund t’i sprovojë aspektet e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, e cila synon uljen e emetimeve të gazrave serrë, eliminimin e ndotjes, dhe mbështetjen e industrisë së qëndrueshme.

Tubimi Kombëtar ka bërë fushatë kundër rregullave të BE-së për mjedisin, duke argumentuar se ato e dëmtojnë punësimin dhe industrinë franceze.

Emigrimi mbetet në qendër të vëmendjes së Tubimit Kombëtar. Kjo parti kërkon kontrolle më të rrepta dhe synon të zbatojë politika që prioritet i kanë shtetasit francezë për përfitime sociale, banim dhe punësim. Këto masa janë të jashtëligjshme sipas ligjeve të tanishme të BE-së.

Philippe Marliere, profesor i politikave franceze dhe evropiane në Kolegjin Universitar në Londër, thotë se në këtë pikë Tubimi Kombëtar e dallon veten nga partitë e tjera djathtiste në BE, për shembull, nga partia e Orbanit në Hungari.

“Shkencëtarët politikë në Francë e quajnë atë parti e së djathtës ekstreme, sepse është vërtetë e tillë. Nëse e studioni programin e saj, ajo është e djathtë ekstreme e parekonstruktuar. Natyrisht, nativiste, kundër emigrimit dhe diskuton se çfarë të bën francez”, tha ai.

Le Pen është adhuruese e deklaruar e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Ajo e sheh atë si mbrojtës të vlerave tradicionale evropiane kundër globalizimit dhe kundër ndikimit amerikan. Më 2014, Le Pen e mbështeti aneksimin e jashtëligjshëm të Gasigshullit të Krimesë nga Rusia.

Nëse vjen në pushtet, Tubimi Kombëtar është zotuar se do ta ndërpresë furnizimin e Ukrainës me raketave franceze me rreze të gjata veprimi.

Megjithatë, Le Peni e ka zbutur qëndrimin në vitet e fundit, sepse e ka dënuar pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia më 2022 dhe ka thënë se e mbështet popullin ukrainas – megjithëse s’e ka përshkallëzuar situatën me Rusinë.

Mark Galeotti, analist politik dhe profesor nderi në Kolegjin Universitar të Londrës për studime sllave dhe të Evropës lindore, thotë se nuk ka shanse që një Francë e mbizotëruar nga Le Peni “do të shkëputet papritmas nga turma dhe do të thotë, ne nuk do ta mbështesim më Ukrainën”.

Megjithatë, ai shtoi se “çfarëdo që ia kufizon pushtetin Emmanuel Macronit është lajm i mirë për Kremlinin” në luftën e tij kundër Ukrainës, “sepse Macroni tani për tani është duke tentuar ta paraqesë veten si luftënxitës të luftënxitësve në Evropë, duke folur për dërgimin e trupave tokësorë”.

Dhe, në Bruksel, zvarritja nganjëherë mund të jetë po aq efektive sa kundërshtimi i menjëhershëm. Marliere thotë se një qeveri franceze e së djathtës ekstreme nuk do të kishte nevojë të dilte menjëherë kundër Ukrainës “për të pasur ndikim në politikën e BE-së”.

Shtysa për futjen e Ukrainës në BE mund të zvarritet.

“Thjesht zvarriteni. I vështirësoni gjërat. Humbni kohë. Dhe, natyrisht, koha është thelbësore për Ukrainën. Ata kanë nevojë për armë dhe për mbështetje tani, prandaj prisni diçka më të rrëmujshme, shumë më të vështirë për Evropën”, tha ai./REL

Read Entire Article