Katërmbëdhjetë aktivistë pro-demokracisë në Hong Kong u shpallën fajtorë dhe dy të tjerë u liruan nga akuzat në një gjykim historik që kritikët thonë se mund të jetë një goditje tjetër ndaj sundimit të ligjit në këtë qytet.
Vendimi në gjyqin më të madh në Hong Kong kundër opozitës demokratike u dha pasi mbi tre vjet më parë policia arrestoi 47 demokratë dhe bastisi shtëpitë e tyre në këtë qytet. Ata u akuzuan për konspiracion për të përmbysur pushtetin, sipas ligjit kombëtar të sigurisë të vendosur nga Kina.
Dënimi do të shqiptohet në një datë tjetër për personat që u gjetën fajtorë. Për veprën që u gjetën fajtorë ata mund të dënohen nga tre vjet deri me burgim të përjetshëm. Tridhjetë e një të akuzuar pranuan fajësinë dhe katër prej tyre janë bërë dëshmitarë të Prokurorisë.
Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera kanë kritikuar gjykimin, duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe duke bërë thirrje që të akuzuarit të lirohen menjëherë. Diplomatë nga disa shtete, përfshirë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, morën pjesë në seancën gjyqësore.
Të pandehurit akuzohen për “komplot” për të paralizuar Qeverinë dhe të detyruar liderin e qytetit që të japte dorëheqje përmes një votimi parazgjedhor në zgjedhjet mbarëkombëtare të korrikut të vitit 2020. Demokratët thanë se ajo ishte një përpjekje jozyrtare për të zgjedhur kandidatët më të fortë për të fituar shumicën në legjislaturën e Hong Kongut.
Gjykatësit Andrew Chan, Alex Lee dhe Johnny Chan shkruan në vendim se nëse të pandehurit do t’ia kishin dalë, ata do të krijonin “një krizë kushtetuese për Hong Kongun” që do të çonte në “ndërhyrje serioze dhe në minimin e zbatimit të detyrave dhe funksioneve në përputhje me ligjin e Qeverisë së Hong Kongut”.
Në mesin e të dënuarve janë edhe ish-ligjvënësit demokratë, Leung Kwok-hung, Lam Cheuk-ting dhe Helena Wong.
Është e paqartë nëse ndonjëri prej personave që u shpall fajtorë do të apelojë vendimin.
Më 2019, në Hong Kong shpërthyen protesta masive pro demokracisë kundër planeve të Pekinit për legjislacionin e sigurisë, që sipas demokratëve do të shkelte liritë e garantuara kur Hong Kongu u kthye në kontrollin e Kinës më 1997.
Pekini në vitin 2020 vendosi një ligj kombëtar të sigurisë që çoi në arrestimin e demokratëve, por edhe u mbyllën media liberale dhe organizata joqeveritare. Opozita demokratike në Hong Kong për dekada të tëra i ka bërë presion Pekinit që të lejojë demokraci të plotë në qytet. /REL