Pse opozita do të protestojë ditën kur do të miratohet buxheti në Kuvend?

3 hours ago 23

Nesër Kuvendi pritet të nisë diskutimet maratonë për projektbuxhetin e vitit 2025, ndërsa opozita do të jetë pjesë e diskutimeve, por jo e miratimit.

Në ditën e miratimit, konkretisht të martën, opozita do të protestojë me qytetarët kundër buxhetit.

Emilja Koliqi, deputete e PD gjatë një interviste në emisionin E-ZONE evidentoi arsyet pse opozita do të mbajë këtë qëndrim ndaj draftit ekonomik.

“Buxheti nuk është për qytetarët. Ai shkon  më së shumti për projekte korruptive. Pensionistët do të indeksohen me më pak se këtë vit. Një shumë qesharake. Kanë një muaj që flasin për rritje, por s’ka asgjë të parashikuar në buxhet. Pagesa e papunësisë nuk rritet. Ndërsa ndihma ekonomike si dhe ajo e paaftësisë shënon rënie në raport me këtë vit. As rritje page nuk do të ketë, për të indeksuar inflacioni i cili prej disa vitesh ka rënduar buxhetet familjare. Këto janë arsye të mjaftueshme për të thënë që buxheti nuk është për qytetarët”, tha Koliqi në Vizion Plus.

Por në momentin kur buxheti do të miratohet nen për nen, opozita do të depozitojë disa amendamente, që i vijnë në ndihmë qytetarëve.

“Ne vijojmë të insistojmë për një minimum jetik prej 200 euro. Ne do propozojmë rritje reale pensionesh dhe jo indeksim qesharak. Ne duam që të ketë një fond të posaçëm për diagnostifikimin e grave që preken nga kanceri i gjirit. Në fokus të propozimeve do të jenë ish të përndjekurit, ish-pronarët, familjet me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie”, sqaroi Koliqi.

Seanca maratonë e buxhetit pritet të zgjasë dy ditë, ndërsa të martën është parashikuar miratimi i tij në parim./vizionplus.tv

Read Entire Article