Vitit 2025 duket se do të jetë një zgjatim i 2024, kur pritshmëritë e biznesit janë se ai nuk do të ketë ndonjë risi. Armand Hasko ekspert kontabël, është i mendimit se dy do të vijojnë të jenë sfidat me të cilat do të përballet komuniteti i sipërmarrjes edhe në vitin e ardhshëm.
“Vijon të jetë një shqetësim i madh informaliteti. Në mes të qyteteve edhe jepen kupona apo fatura tatimore. Ndërsa në periferi të kryeqytetit, por dhe në zona të tjera jemi ende shumë larg këtij fenomeni. Qeveria nuk ka patur rezultat në luftën ndaj këtij fenomeni i cili është shqetësues për sipërmarrjet. Njëkohësisht mungesa e burimeve njerëzore vijon të jetë shqetësuese. Edhe marrja e punëtorëve nga jashtë nuk ka dhënë zgjidhje, pasi ata rrinë përkohësisht dhe më pas largohen nga vendi”, u shpreh eksperti Armand Hasko, në Vizon Plus.
Lidhur me kërkesat e biznesit drejtuar qeverisë dhe parlamentit për të riparë politikën tatimore për sektorin e industrisë ushqimore, Hasko thotë se kjo industri ka nevojë për mbështetje.
“Duke parë që sektori i ushqimeve, po konkurrohet lehtësisht me produktet e importit, mbështetja në vendin tonë nuk është po aq konkurruese në raport me vendet e rajonit, ka bërë që shumë bizneset të mos fokusohen me investimet e tyre në këtë fushë. Ndaj ata sipërmarrës që kanë investuar në këtë sektorë, më herët kërkojnë mbështetje pasi tregu po dominohet nga produktet e importit”, tha Hasko.
Tetë shoqata biznesi në një letër drejtuar qeverisë dhe parlamentit kërkojnë tatim mbi vlerën e shtuar më të reduktuar në sektorin ushqimor. Sipas tyre Shoqëria ka taksën më të lartë për ushqimet./vizionplus.tv