Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kanë prezantuar pasditen e sotme drejtuesin e ri të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Prezantimi i drejtuesit të ri të DVP-së Berat Luigj Vathi është kryer në ambjentet e kësaj drejtorie, në prani të drejtuesve të çdo sektori të DVP Berat dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, duke vlerësuar punën e drejtuesit të deritanishëm Kastriot Skënderaj, ka theksuar gjatë prezantimit se siguria publike dhe lufta kundër krimit, në veçanti krimit ekonomik dhe informalitetit, do të jenë prioritetet e DVP-së Berat dhe jo vetëm.
Ai ka deklaruar se roli i policisë në qarkun e Beratit ka qënë i shumëfishtë dhe kjo duket qartë edhe në parametrat e larta të sigurisë në këtë qark.
Detyra e policisë, ka thënë Hoxha, është të garantojë sigurinë për qytetarët dhe për turistët, të mbështesë rritjen ekonomike por edhe të ruajë trashëgiminë e vyer që ky qytet përfaqëson, të paprekur nga dëshira që ngrihen vetëm mbi përfitimin personal.
Luigj Vathi, vjen nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku ishte zv/drejtor dhe prej ditës së sotme ai do të jetë në krye të DVP-Berat, që deri më sot drejtohet nga Kastriot Skënderaj./vizionplus.tv