Anëtarësimi në SEPA, ekspertët: Formalizon ekonominë, shpëtojmë nga transfertat “e kripura”

3 hours ago 27

Shqipëria ka aplikuar për t’u bërë pjesë e sistemit europian të transfertave bankare, SEPA, që prej 12 qershorit 2024.

Marrëveshja u firmos nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe e bëri Shqipërinë vendin e parë në rajon, që kërkoi formalisht të njësohet me sistemin unik bankar të BE-së për transferta më të sigurta në monedhën Euro, të shpejta dhe më të përballueshme për qytetarët.

Në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, ekonomistët Alban Zusi dhe Fatos Çoçoli folën për ndikimin që do të ketë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të vendit, duke kontribuar në integrimin e mëtejshëm me tregun e BE-së.

Bashkimi, integrimi, aplikimi i praktikave që janë për Bashkimin Europian janë zgjidhja për qytetarët e këtij rajoni. Në këtë kontekst, SEPA është një ndër instrumentet e integrimit të ekonomisë shqiptare me ekonominë e BE-së. Ky është një sistem transfertash bankare, eurozim, që e përdor Europa. Sot ne përdorim sistemin SWIFT. Në qoftë se sot përmes SWIFT-it transfertat bankare mund të zgjasin deri në 5 ditë dhe me një kosto të caktuar, në SEPA transfertat bëhen maksimalisht për 3 ditë në rastin e bizneseve. Qytetarët do të kenë më shumë lehtësira kur përdorin kartën e tyre bankare.

Fakti që transfertat kryhen përmes bankës me një kosto më të ulët dhe me avantazhe kohore, edhe sikur 10 për qind ta formalizojë tregun, është një avantazh. Qytetarët shqiptare brenda apo jashtë duhet ta formalizojnë paranë e tyre përmes hapjes së një kontoje bankare. Transfertat që nuk qarkullojnë brenda sistemit apo nga institucionet jobankare po shkaktojnë një katrahurë në ekonominë tonë,” u shpreh z. Zusi, që është njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës së Eksportuesve.

Sistemi SEPA do të ketë edhe një avantazh për emigrantët, që kontribuojnë në ekonominë e vendit duke sjellë remitanca të nevojshme për familjarët e tyre apo edhe duke i investuar në prona e biznese.

Nëse emigrantët shqiptarë duan t’u sjellin familjeve të tyre 300 euro në muaj deri tani kanë paguar 10 euro, p.sh. dikush që është në Londër. Ata kanë përdorur kryesisht institucione jobankare të transfertave, përkundrejt një tarife ‘të kripur’. Tani do paguajnë 1,2 euro, sa është edhe tarifa për çdo qytetar europian në BE, të cilët çojnë para brenda sistemit SEPA,” deklaroi z. Çoçoli.

/a.r

Read Entire Article