Balla paralajmëron vendosjen e kamerave të sigurisë në rrugët kryesore afër shkollave

5 months ago 20
Reklamë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla foli sot për masat e policisë së shtetit për luftën kundër grupeve që shesin lëndë narkotike në afërsi të shkollave si edhe për planin për të rritur sigurinë në shkolla.

Në fjalën e tij në kuadër të promovimit të udhëzimit të shkollave të sigurta, ministri Balla paralajëmroi vendosjen e kamerave të sigurisë në rrugët kryesore në afërsi të shkollave në Shqipëri.

Balla tha se duhet të rriten penalitetet për shkeljet në kodin rrugor në afërsi të perimetrit të shkollave.Ministri tha se kur një shofer shkel rregullat e qarkullimit rrugor në afërsi të shkollave penaliteti duhet të jetë i dyfishtë.

Fjala e ministrit Balla

Një prej prioriteteve kryesore në detyrën time si ministër i Brendshëm, lidhet me paketën e sigurisë në shkolla. Në fakt kur e lançuam në 1 shtator të vitit të kaluar ishim të bindur për sfidat, por dhe për nevojën për t’i garantuar fëmijëve tanë më shumë siguri jo vetëm brenda oborrit të shkollës, mureve të shkollës, por më shumë se kaq, brenda një koncepti të ri, një perimetri të sigurisë në shkolla, i cili përmbledh brenda vetes edhe pjesën ose dimensionin që lidhet me sigurinë rrugore.

Në këtë fazë të parë në këto 200 ditë të para të zbatimit të paketës së sigurisë në shkolla, një prej efekteve të dukshme dhe efektit të menjëhershëm të paketës së sigurisë në shkolla ishte prezenca e punonjësit të policisë rrugore, apo e departamenteve të tjera tek dera e shkollës, tek rruga që kalon përballë shkollës, tek vizat e bardha ku duhet të kalojnë fëmijët për të mbërritur në shkollë.

Për të garantuar aspektet e sigurisë rrugore, uljen e shpejtësisë së mjeteve, duhet bashkëveprim me aktorët të përfshirë, njësitë e qeverisjes vendore, ministritë e linjës etj., të cilat kanë një peshë tepër të rëndësishme që lidhet me sinjalistikën, qoftë ajo vertikale qoftë ajo horizontale, me kamerat e sigurisë dhe me gjithçka tjetër që është në proces plotësimi në të gjitha shkollat e vendit, për të garantuar një rrugëtim të sigurtë të çdo fëmije të këtij vendi për në shkollë.

Unë e them shpesh që kur prindërit gjyshërit dërgojnë fëmijët në shkollë ata fëmijën e tyre ia besojnë shtetit, dhe ne shteti kemi gjithë përgjegjësinë nga a tek zh për të garantuar të gjitha dimensionet e sigurisë.

Nuk e fsheh që kur nisëm paketën e sigurisë në shkolla, që shtysa kryesore lidhej pikë së pari me përdorimin e lëndëve narkotike tek të miturit dhe tek të rinjtë. Dhe goditja pa kompromis e këtij rrjeti ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore.

Në shtator të vitit të kaluar një prej shqetësimeve të mija ishte përdorimi nga të rinjtë i dioksidit të azotit, i cili asokohe nuk ishte parashikuar si një lëndë e ndaluar, dhe na mori pak kohë por tani është i ndaluar ligjërisht dhe ato pamje shqetësuese për ato prindër dhe gjyshër që shikonin të rinj, adoleshentë, të cilët dukeshin sikur frynin tullumbace, por në fakt ishin tullumbacet që frynin të rinjtë.

I përkasin së shkuarës, por nuk duhet të harrojmë asnjëherë se ashtu siç ne perfeksionojmë elementët apo parametrat e sigurisë, në të njëjtën kohë grupet kriminale apo keqbërësit që duan të bëjnë biznes me jetën e të rinjve jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën, edhe ata perfeksionojnë qasjen e tyre duke shkuar në lëndë të tjera narkotike, ku sfida jonë më e madhe është qasja që duhet të kemi ndaj drograve sintetike.

Në SHBA të cilët janë dhe shtytësit kryesorë në koalicionin global kundër drogave sintetike, shifrat janë sa domethënëse aq edhe tragjike.

Gjatë vitit 2022 për shkak të përdorimit të drogave sintetike kryesisht fentanilit, ka 110 mijë persona që humbën jetën me overdozë në SHBA nga mosha 18 vjeç deri në 49 vjeç, 2/3 e tyre ishin për shkak të mbidozës nga fentanili. Fentanili është një drogë sintetike me bazë opioide, e cila ka shkaktuar këtë situatë tragjike, e cila në se do krahasohej me aspektin historik, janë më shumë amerikanë të vdekur nga fentanili në vitin 2022 se sa amerikanë të rënë në Luftën e Dytë Botërore brenda një viti.

Dhe në këtë kontekst na shtohet më shumë përgjegjësia që ta rrisim forcën tonë parandaluese në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla.

E përmenda këtë pjesë sepse është pjesë e këtij dimensioni, dhe sot jemi mbledhur për të diskutuar falë asistencës së vyer të komuniteti të transportit për pjesën që lidhet me sigurinë fizike dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

Dhe mund t’ju informoj që qasja jonë është të rrisim penalitetet, që lidhen me parashikimet e kodit rrugor brenda të perimetrit të sigurisë në shkolla.

Mendoj që çdo qytetar i këtij vendi e pranon propozimin tonë që kur një shkelje rrugore ndodh në perimetrin e sigurisë në shkolla, shkelësi nuk mund të ndëshkohet një lloj sikur ndodh diku tjetër.

Do të ketë një penalitet të paktën dyfish më i lartë.

Kur ti shkel shpejtësinë pranë një shkolle, ti nuk mund të ndëshkohesh vetëm me penalitetin që përcakton kodi rrugor sa për një gjobë apo ulje të pikëve në patentë.

Kjo nuk mjafton, në momentin kur ti tejkalon shpejtësinë pranë oborrit të shkollës, ti je në limitet e kryerjes të një vepre të rëndë penale. Do t’i takojë kuvendit të Shqipërisë që ta diskutojë këtë, ku unë jam vetëm një prej 140 votave, 71 duhen aty, por nuk mendoj që ka në kuvendin e Shqipërisë një deputet që nuk e kupton që ne duhet të jemi shumë të ashpër ndaj çdo shkelësi të normave të qarkullimit rrugor pranë shkollave. Modelet nuk mungojnë. Kur parakalon në mënyrë të papërgjegjshme mikrobuzin e fëmijëve që shkojnë, ti nuk mund të penalizohesh sikur po parakalon një mjet tjetër.

Read Entire Article