Bashkëpunimi Rusi-Kinë në teknologjinë 5G përbën rrezik për Ukrainën

7 months ago 20

Rusia është duke e rritur bashkëpunimin me Kinën në teknologjinë satelitore dhe atë 5G, dhe diçka e tillë mund të lehtësojë luftën e Moskës në Ukrainë, është thënë në një raport të institutit britanik The Royal United Services Institute (RUSI).

Në raportin e publikuar më 1 mars, është thënë se ndonëse integrimi i rrjetit 5G në zonat e fushëbetejës mund të përcillet me komplikime, infrastruktura për ndihmën kineze ndaj satelitëve rusë veçse ekziston dhe mund të lehtësojë “veprimet ushtarake ruse në Ukrainë”.

Kina, e cila ka lidhje të ngushta me Moskën, ka refuzuar të dënojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe i ka ofruar ndihmë ekonomike Rusisë, duke ia bërë më të lehtë Kremlinit përballjen me sanksionet e Perëndimit.

Pekini ka thënë se nuk i shet armë vdekjeprurëse Rusisë për luftën në Ukrainë, mirëpo qeveritë e Perëndimit e kanë akuzuar vazhdimisht Kinën se i ka ofruar ndihmë teknologjike Moskës, pavarësisht sanksioneve të Perëndimit.

Në raportin e RUSI-t jepen më shumë detaje se si bashkëpunimi në mes të Rusisë dhe Kinës në sektorin 5G dhe teknologjinë satelitore mund të ndihmojë Rusinë në fushëbetejë.

“Dronët dhe pajisjet tjera të avancuara teknologjike kanë qenë kyçe në të gjitha frontet në Ukrainë, duke nisur prej mbledhjes së informacioneve, e deri të fushata e sulmeve ajrore”, është thënë në raport.

Sipas raportit, zhvillimi i rrjetit 5G ka rezultuar me ndikim të madh në marrëdhëniet strategjike ruso-kineze në vjetët e fundit.

5G është teknologji standarde, e cila mundëson shpejtësi më të madhe të transferimit të të dhënave, në krahasim me rrjetin 4G.

Sipas raportit të RUSI-t, 5G ka potencial të riformësojë fushëbetejën.

Më 2019 Rusia dhe Kina janë pajtuar për ndërtim të tri stacioneve vëzhguese në Kinë dhe tri tjerave në Rusi.

Kjo teknologji mundëson mbledhjen e pamjeve, përmirëson menaxhimin logjistik, mundëson vëzhgimin e lëvizjeve ushtarake dhe saktëson identifikimin dhe eliminimin e shënjestrave tokësore.

Ky raport është publikuar teksa qeveritë perëndimore janë duke i rritur përpjekjet për t’i luftuar tentimet e Rusisë për t’iu ikur sanksioneve të vëna për nisjen e luftës në Ukrainë.

Më 23 shkurt, në prag të përvjetorit të dytë të nisjes së luftës, Shtetet e Bashkuara u kanë vënë sanksione rreth 100 entiteteve, që janë duke i ndihmuar Rusisë t’iu ikë sanksioneve dhe janë duke ofruar ndihmë për makinerinë ruse të luftës.

Në këtë luftë përfshihen kompanitë kineze, të akuzuara për ofrimin e mbështetjes për “bazën ushtarake të Rusisë”./rel

Read Entire Article