BBB (Belgjika, BE, Ballkani Perëndimor)

8 months ago 34
Reklamë

A do të bëhen vendet e Ballkanit Perëndimor anëtare të Bashkimit Europian në 2024? Sipas të gjitha gjasave, jo. Por me entuziazmin që kap njerëzit si në çdo fillim të ri, në këtë rast të vitit 2024, ka disa gjëra që vendimmarrësit në Bruksel, nuk duhet t’i anashkalojnë, madje t’i kenë parasysh që t’i përdorin që procesi të ecë drejt. Janë disa, sfidat e BE, Ballkanit Perëndimor dhe Belgjikës, që me ardhjen e 2024 ka presidencën e radhës të Unionit.

Belgjika nis 2024-ën me një axhendë të ngjeshur sfiduese zgjedhjesh kombëtare dhe europiane, përgjatë gjashtë muajve që do të mbajë presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Vëmendja kësaj here nuk do të jetë vetëm për Brukselin si referencë për selinë dhe vendimmarrjen e BE-së, por pikësëpari për trendin e zgjedhjeve në Belgjikë, që vitet e fundit ka patur paqëndrueshmëri në qeverisje- në 2020 Belgjika mezi krijoi qeverinë pas gati dy vjetësh kur ra e mëparshmja. Mbi të gjitha vëmendja belge do të jetë te zgjedhjet e qershorit për Parlamentin Europian, në Unionin ku euroskepticizmi po shtohet, i nxitur si nga partitë populiste, ashtu edhe nga ato të majtiste– Hungaria udhëheq listën, sa për ilustrim.

Me luftën ruse që vijon dhe ish republikat sovjetike të Ukrainës e Moldavisë që hapën negociatat për anëtarësimin në BE në mes të këtij dhjetori e Gjeorgjinë që mori statusin e kandidates për anëtarësim, presidenca belge ka si detyrë parësore eliminimin e ndikimit rus të ngulitur thellë në rajon për shkak të historisë.

Është pikërisht ndikimi rus, që shtrihet përtej ish territorit sovjetik deri në Ballkanin Perëndimor, ku presidenca belge e BE do të duhet të jenë në alert. Vetë institucionet europiane janë të ndërgjegjshme që shtetet e Ballkanit Perëndimor janë vija e parë në konfrontimin gjeopolitik të Rusisë me Perëndimin. Federata Ruse ka lidhje të forta historike me Ballkanin Perëndimor; aleatja e saj kryesore në rajon mbetet Serbia. Me pushtimin rus të Ukrainës, sërish në vitin 2022, BE-ja është përpjekur të japë shtytje të reja në procesin e zgjerimit dhe ka përforcuar praninë e saj në rajon. Kjo duhet të vazhdojë dhe gjatë presidencës belge. Në këtë drejtim, nuk duhet harruar përbërja politike e Bosnjë Herzegovinës, që është jashtëzakonisht komplekse dhe më shqetësues është padyshim fakti që Republika Srpska kërkon pavarësinë. Dhe këtë e bërtet me të madhe aleati më i vendosur i Rusisë në Bosnjë Herzegovinë dhe Europë: kreu i Republikës Srpska, nacionalisti i linjës së ashpër Milorad Dodik. Duke e quajtur Bosnjën një shtet artificial, ai është shkaku pse Sarajeva zyrtare është e vetmja kryeqendër evropiane, krahas Beogradit fqinj, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Edhe kjo i shtohet listës prioritare të kujdesit në axhendën belge gjatë presidencës së BE-së.

Dialogu Kosovë-Serbi mbetet pezull dhe pa zgjidhje për momentin. Ndoshta këtu Belgjikës, si presidente e radhës, do i duhet të jetë më e vendosur në marrjen e masave në unison për të sanksionuar mosrepektimin e marrëveshjeve mes palëve apo edhe për të shpërblyer kur ato respektohen, për t’i vënë ato në dispozicion të ndërmjetësimit europian të dialogut Kosovë-Serbi. Ka ngecje në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe ky mosveprim pritej gjatë presidencës spanjolle që u mbyll më 31 dhjetor 2023. Spanja si kundërshtarja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, as nuk e preku si çështje. Tani aplikimi i përket presidencës belge dhe do duhet parë nëse Belgjika përfundimisht do mbledhë forcat europiane dhe do të arrijë t’i japë një mandat Komisionit Europian për të përpiluar një opinion rreth aplikimit të dorëzuar nga Prishtina në fund të vitit 2022, kur Republika Çeke mbante presidencën e ardhshme. Gjasat janë që prapë do ketë pengesa thelbësore, duke patur parasysh që Suedia dështoi në arritjen e qëllimit dhe Spanja vijoi ashpër të ishte kundër. Kjo nuk pritet të ndryshojë.

Afër Kosovës, Shqipëria tani po ecën në rrugën drejt BE-së, pas deklaratave të forta të viteve të fundit të kryeministrit Rama ndaj BE-së, si në rastin e Maqedonisë së Veriut, kur tha se çështja e Bullgarisë është “një turp, që një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë dhe nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku.” Tani Rama me tone më të zbutura thotë se Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe zgjerimi është në krye të prioriteteve, që partnerët dhe fqinjët tanë të bashkohen dhe ta bëjnë Bashkimin tonë të plotë.

Se kur vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e BE-së, nuk dihet as në rajon e as në Bruksel, por e sigurt është që kjo nuk do të ndodhë gjatë presidencës belge. Kjo e fundit, minimalisht gjatë këtyre gjashtë muajve nuk duhet të lërë pas dore Ballkanin Perëndimor.

Top Channel

Read Entire Article