BE: Korrupsioni, problem në Ballkan! Gonzato: Reforma në drejtësi po jep rezultate

2 days ago 22
Reklamë

Korrupsioni mbetet një shqetësim për vendet e Ballkanit, edhe sipas Bashkimit Europian. Një sondazh i fundit ka treguar se qytetarët në rajon mendojnë se lufta ndaj këtij fenomeni duhet të jetë prioritet.

Shqetësimi kryesor i qytetarëve të Ballkanit Perëndimor është rritja e çmimeve. Në një sondazh të realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe i financuar nga Brukseli, rezulton se për 64% të qytetarëve, rritja e çmimeve është problem kryesor me të cilin ata përballen.

“Problemi i dytë për të cilin shqetësohen qytetarët e rajonit është korrupsioni, dhe 34% e të intervistuarve e listojnë korrupsionin si problemin kryesor. Për këtë arsye, ambasadori i BE-së në Tiranë, Gonzato, theksoi se Brukseli do të vazhdojë ta ketë prioritet luftën ndaj këtij fenomeni,” tha sekretarja e përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu.

“Ndaj ne do të vazhdojmë të vendosim korrupsionin në krye të axhendës për anëtarësimin në BE. Por, megjithatë, ka një zhvillim pozitiv: në Shqipëri ka një perceptim se institucionet e drejtësisë dhe policia po bëjnë punën e tyre më mirë. Në vitet e kaluara ka pasur një mosbesim në drejtësi në Shqipëri, por mendoj se sot po shohim frutet e reformës në drejtësi që u bë në vitin 2016. Njerëzit e vlerësojnë faktin se institucione si SPAK, në veçanti, dhe institucionet e drejtësisë në përgjithësi janë të pavarura nga ndikimi politik,” tha Silvio Gonzato.

Prej një dekade, një gjë mbetet konstante në të gjithë rajonin, qytetarët nuk besojnë tek partitë politike dhe parlamenti.

 “Në raport me integrimin, shqiptarët në Tiranë dhe Prishtinë mbeten mbështetësit më të mëdhenj të Bashkimi Europian, me 77% të tyre që kanë besim tek Brukseli, ndërkohë që serbët janë më skeptikë, dhe vetëm 34% e tyre mendojnë se anëtarësimi është diçka e mirë për vendin e tyre,” deklaroi Bregu. /vizionplus.tv

Read Entire Article