Bëhet gati ndarja e plazheve, Agjencia e Bregdetit: 70% për privatin, 30% për publikun

4 months ago 25
Reklamë

Në përgatitjet e fundit që po bëhen për sezonin veror, Agjencia Kombëtare e Bregdetit ndodhet në fazën e lidhjes së kontratave me subjektet për menaxhimin e plazhit. Në të gjithë vijën bregdetare janë 1200 kontrata në pritje, por për të gjithë ata, detyrim parësor është garantimi i sigurisë për pushuesit, duke punësuar vrojtues plazhi.

“Kemi një ndarje të sipërfaqes me 70% për plazhe të menaxhuara dhe 30% janë të dedikuara për publikun. Çdo bashki bregdetare kemi këtë ndarje. Nuk është e thënë që gjithë ky 70% ka interes nga subjektet, numri i parcelave publike rritet edhe më shumë sepse ka parcela për të cilët subjektet nuk kanë interes ose nuk plotësohen kriteret dhe këto parcela kthehen në publike. AKB ka vënë kriter për subjektet që pa sjellë kontratën e lidhur me vrojtuesit e plazhit, nuk u lidhet kontrata për stacionet e plazhit. Ky është një nga kriteret shumë të forta, ata janë të detyruar të lidhin kontratë me vrojtuesit dhe më pas të marrin kontratën dhe të ushtrojnë veprimtarinë në stacionin e plazhit”,  shprehet Ledion Lako, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Në numër të përafërt, në të gjithë vendin janë 1.500 vrojtues plazhi të certifikuar, por edhe ky profesion, njëjtë si shumë të tjerë, po sheh mundësinë për të punuar jashtë.

“Kemi shumë vrojtues plazhi të certifikuar që nuk punojnë në vendin tonë, por në vendet e rajonit sepse kanë oferta më të mira në Mal të Zi, Itali, Greqi. Deri tani në këto momente kemi mbi 1500 të certifikuar, por nuk duhet marrë si një numër fiks sepse kemi lëvizje dhe ky është një proces shumë dinamik”,  thotë Lako.

Për të tretin vit me radhë, pastrimin e plazheve, veç bashkisë, do ta bëjë edhe një operator i kontraktuar nga Ministria e Turizmit.

“Vitin e kaluar kishim Bashkinë e Durrësit, Rrogozhinës, Vlorës, Sarandës, Himarës, këtë vit kemi shtuar edhe Velipojën. Jemi në procesin e përzgjedhjes së operatorit, i cili nga 15 qershori deri në 15 shtator, operatori në një marrëveshje të bërë me bashkinë përkatëse, nëse bashkia pastron 2 herë brenda 24 orëve, po aq herë duhet të pastrojë edhe operatori i kontraktuar nga ne”, shprehet ai.

Nxitur nga hovi turistik, këtë vit kanë shfaqur interes 350 subjekte për të ngritur struktura të përkohshme në bregdet për të shërbyer deri më 15 nëntor. Ato janë në fazën që do të lidhet kontrata përfundimtare, me kushtin që nuk duhet të ndërtohen me beton, por duhet të jenë me platformë druri dhe të çmontueshme. /vizionplus.tv

Read Entire Article