Nga tetori, fermerët, blegtorët dhe peshkatarët do të jenë përfitues të një skeme të re mbështetëse për investimet që do të kryejnë. Qeveria do të ofrojë për ta 50% të vlerës së investuar grant, ndërsa fondi i vënë në dispozicion është 500 milionë lekë.
Detajet nga skema e re i ka dhënë zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari.
Në një intervistë për Vizion Plus në Edicionin Qendror të Lajmeve me Pranvera Borakaj, Z. Jaupllari u shpreh se në këtë skemë kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë ata fermerë që plotësojnë kushtet sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Ai ka shpjeguar se aplikimi do të bëhet elektronik dhe përzgjedhja do të bëhet elektronike.
Intervista e plotë:
Ne e kemi një skemë kombëtare, pse ishte e nevojshme një skemë e dytë për fermerët?
Jaupllari: Mbështetja për fermerët gjithmonë është e nevojshme. Qeveria shqiptare me këtë skemë të re jep një tjetër zhvillim në bujqësi. Skema e re do të përqëndrohet në pesë drejtime kryesore. Së pari në mbështetje në serat, së dyti mbështetje në rrjetat për rrjetëzimin e pemëve frutore, e treta në mbështetje për blegtorët në stalla, e katërta në mbështetje me mekanitë bujqësore dhe modernizimin e mekanisë si dhe së fundmi në agrokulturë. Të gjitha këto do të bëjnë që në vitin 2024 të kemi një shtesë prej 500 milionë dollarë, dhe në vitet 2024-2027 do të kemi edhe 1 miliardë dollar, pra gjithsej 1. 5 miliardë shtesë.
Edhe nëse marrim këtë mbështetje, si është ajo në raport me 2023?
Jaupllari: Skema e re është një tjetër mbështetëse, sepse skema e këtij viti edhe pse ka 3.3 miliardë të alokuara, në fund të vitit ashtu siç çdo vit tjetër do ta përfitojë të gjithë të aplikuarit.
Kush ka të drejtë të aplikojë në këtë skemë dhe kur pritet të hapet thirrja?
Jaupllari: Në këtë skemë kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë ata fermerë që plotësojnë kushtet sipas kritereve të përcaktuara nga vendimi i Këshilli i Ministrave. Për serat nga 0-2 hektarë, por jo më shumë, 1.15 milionë lekë për mbështetjen e perimeve, 8 milionë për mbështetjen e rrushin në tavolinë, 4 milionë për luleshtrydhen. Jo më pak se 1 e jo më shumë se 5 hektarë për rrjetat, me fondin 15 milionë. Kurse për mekanizimin, do të mbështeten me vlerën deri në 500 milionë lekë për çdo subjekt. Sa i përket blegtorisë jo më pak se 10 krerë lopët, jo më pak se 100 krerë bagëti të imëta, dosat jo më pak se 10 krerë, jo më pak se 10 mijë krerë për pulat. Vlera totale e tyre nuk duhet të shkojë më shumë se 15 milionë lekë. Ajo që është e rëndësishme për t’u theksuar është se nëse këto subjekte nuk arrijnë ta realizojnë dot dhe nëse do të ngelen para pa u përthithur, këto para do t’i shtohet skemës tjetër që do të jetë vitin tjetër
Sa pritet të jetë numri i përfituesve?
Jaupllari: Të gjithë ata fermerë që i plotësojnë kriteret do të kenë mundësinë të përfitojnë. Gara është nëpërmjet sistemit elektronik.
Po aplikimi do të jenë me dosje fizike në zyrat bujqësore rajonale, apo online?
Jaupllari: Aplikimi do të bëhet elektronik dhe përzgjedhja do të bëhet me sistemin elektronike.
Bëjmë me dije se kjo është skema e dytë që qeveria aplikon për të mbështetur fermerët, pas fondit prej 3.3 mld lekësh që alokoi nga marsi i këtij viti. /vizionplus.tv