Shkodra u trondit nga një atentat mafioz pasditen e kësaj të mërkure, që la pas dy të vdekur dhe dy të plagosur rëndë. Pasi e ndoqën për disa metra, persona ende të paidentifikuar i bënë pritë Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit, që është një personazh i njohur i botës së krimit.
Ata qëlluan me breshëri në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po lëvizte Lici, duke e lënë të vdekur dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes. Plumbat kapën edhe Arlind Bushatin, djalin e Xhemal Bushatit, që ishte kandidat për Bashkinë e Shkodrës në vitin 2023, nën siglën e PD.
Arlind Bushati ndodhej në makinë së bashku me Hamza Licin. Ai mori një plumb në kokë dhe është në gjendje të rëndë për jetën në spital. Pas të shtënave, makina me të cilin lëviznin Lici dhe Bushati humbi drejtimin dhe shkaktoi aksident, duke përplasur një motoçikletë. Në të udhëtonin një çift bashkëshortësh, Flutura dhe Bashkim Basha. Si pasojë e përplasjes, humbi jetën në vend Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje kritike.
Gazetari Bepin Kolvata, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus, me moderatorin Aleksandër Furxhi tha se policia tashmë ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja. Në makinën në të cilën udhëtonte viktima dhe Bushati është gjetur edhe një armë zjarri. Ndërkohë, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka kërkuar zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë.
Bepin Kolvata: Policia po grumbullon pamjet e kamerave të sigurisë për të parë nëse është i mundur idenftifikimi i autorëve. Mjeti me të cilin lëvizte Hamza Lici dhe Arlind Bushati ishte me targa kroate. Për zonën ku ka ndodhur ngjarja mbetet i vështirë identifikimi i autorëve, pasi ata kanë pasur mundësi të largoheshin në disa drejtime. Nga informacionet paraprake mësohet se është gjetur edhe një armë brenda automjetiit ku ndodhej Lici dhe Bushati. Në gjendje të rëndë është Bashkim Basha, i cili po shkonte drejt shtëpisë së bashku me bashkëshorten Fluturën, e cila humbi jetën. Policia po heton të gjitha pistat e mundshme sepse është një ngjarje e rëndë dhe një ngjarje që ka një background me të shkuar. Do të mbetet për tu parë nëse do të ketë prova të reja që mund të ndihmojnë policinë për të zbardhur ngjarjen. Prokurori i Shkodrës, Albert Murçaj, së bashku me drejtues të prokurorisë dhe policisë ndodhen në spitalin e Shkodrës. Është kërkuar nga Ilir Proda që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë dhe autorët të vihen përpara përgjegjësië.
Ngjarja e rëndë dyshohet të jetë pasojë e përplasjes së ashpër të dy bandave, Bajrave dhe Licëve në Shkodër. Konflikti mes tyre ndër vite ka shkaktuar disa viktima./vizionplus.tv