Beteja për shpëtimin e pengjeve, tre trupa gjenden të pajetë, SHBA vijon përpjekjet për frenimin e ofensivës

5 months ago 27

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Jake Sullivan udhëton këtë të shtunë drejt Arabisë Saudite për bisedime me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, dhe një ditë më pas do të mbërrijë në Tel Aviv ku do të takohet me zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanjahu.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby bëri të ditur se ndihmësi më i lartë i Biden do të nënvizojë nevojën që lufta ndaj Hamasit të bëhet përmes objektivave të kufizuara e jo përmes ofensivës në shkallë të gjerë.

Ndërkohë ushtria izraelite ka vijuar operacionet në të gjithë rripin e Gazës.
Gjatë 24 orëve të fundit janë goditur 70 objektiva, ndërsa është njoftuar se është vrarë në Rafah edhe një zyrtar i lartë i xhihadit islamik.

Një natë më parë ushtria izraelite zbuloi në gaza tre trupa të pajetë të pengjeve të marrë nga Hamasi. Trupat u identifikuan të tre personave që u rrëmbyen nga festivali Nova në 7 tetor, mes të cilëve edhe trupi i vajzës së quajtur Shani Louk.
Pamjet e 22-vjeçares gjermano izraelite në pjesën e pasme të një kamionçine ishin nga të parat që u publikuan pas sulmit të Hamasit më shumë se 7 muaj më parë. Fillimisht mendohej se ajo mund të ishte e gjallë, por pak ditë pas rrëmbimit u konfirmua se 22-vjeçarja kishte humbur jetën gjatë sulmit.

Kryeministri Netanjahu përsëriti premtimin për kthimin e pengjeve në shtëpi, të gjallë ose të vdekur.

Pengjet e rrëmbyer nga Hamasi kanë qenë në qendër të negociatave të armëpushimit që janë zhvilluar prej muajsh. Nuk dihet sa pengje kanë mbetur ende në rripin e Gazës dhe sa prej tyre janë gjallë./vizionplus.tv

Read Entire Article