Bord kombëtar për informimin, Rama mbron gazetarët dhe shigjeton prokurorët për “sekretin hetimor”

2 months ago 25
Reklamë

Një bord kombëtar për të siguruar të drejtën e informimit. Ky është propozimi i kryeministrit Edi Rama që thotë se nuk mungon vullneti i qeverisë për të dhënë informacion por mungon vetedija e drejtuesëve të institucioneve për ta shpërndarë atë, për aq kohë sa ai nuk përbën sekret shtetëror.

“Çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshje, të çdo marrëdhënie kontraktuale që nuk hyn në atë hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit, duhet të jetë publike. Është koha për të pasur një bord kombëtar me pjesëmarrjen patjetër të qeverisë sepse në fund të ditës gërryen patjetër besimin e qytetarëve, kjo hap shtretër të tërë lumenjsh për llumin e dizinformimit apo të keqinformimit si rezultat i marrjes së një cope letre, pa marr copën tjetër të letrës”, tha Rama.

Për nxjerrjen e sekretit hetimor Edi Rama u doli në mbrojtje gazetarëve dhe shigjetoi prokurorët si fajtorët e vetëm të bërjes publike të dosjeve të SPAK apo çdo prokurorie tjetër.

“Për mua gazetarët nuk nxjerrin sekret hetimor se gazetarët nuk i disponojnë sekretet hetimore. Sekretet hetimore i disponojnë prokurorët kështu që kur gazetarit i bie në dorë sekreti nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por shkon drejt atyre që ia dhanë atij. Kjo është elementare sepse që në Kanun shkruhet e zeza mbi të bardhë: “lajmësi nuk ka faj”, kush e prodhoi lajmin ose kush ia dha atij lajmin që ta çojë diku tjetër është burimi me të cilin ti duhet të merresh në rast se lajmi është një gënjeshtër apo në rast se lajmi nuk duhet të dilte”, tha Rama.

Në konferencën e VI kombëtare për të drejtën e informimit, kryeministri tha se vendi ynë renditet i shtati në legjislacionin për të drejtën e informimit dhe ku niveli i transparencës për institucionet qendrore është përmirësuar, ndryshe nga ai në pushtetin vendor që mbetet problematik./vizionplus.tv

Read Entire Article