Britania rrit presionin ndaj Serbisë, Cameron: Rusia kërkon destabilizimin e Ballkanit

8 months ago 30
Reklamë

Gjatë një raportimi para Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit britanik, Sekretari i Jashtëm, David Cameron, deklaroi se duhet  të shprehet zhgënjim me sjelljen e Qeverisë së Serbisë, pas ngjarjeve të shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Sigurisht, ne nuk kemi ndryshuar mendim që t’i japim shans Serbisë për integrim euroatlantik. Por, mendoj se ka frustrim për këtë sjellje të tyre dhe ne duhet të jemi të qartë për këtë. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë këtë zhgënjim, unë nuk e di, duhet t’i pyesni ata. Por, nga bisedat që kam pasur kam ndier se ka zhgënjim sepse Banjska ishte një moment i një rreziku të madh”, tha Cameron.

Cameron tha se ka ardhur koha që të ndryshohet qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se Rusia po synon të destabilizojë rajonin.

“Mendoj se qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor u krijua para se Rusia të pushtonte Ukrainën. Ne tani duhet të mendojmë shumë lidhur me atë se çfarë ka ndryshuar, sepse sigurisht Rusia dëshiron të bëjë më shumë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, të bëjë më shumë përmes bashkëpunëtorëve të saj, përfshirë Serbinë, t’i bëjë këto shtete, përfshirë Moldavinë më pak të sigurta. Prandaj, ne duhet të punojmë për të gjetur mënyra se si ta luftojmë këtë”, tha Cameron.

Më herët NATO ka  deklaruar se siguria në Kosovë është kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe se rritja e pranisë se aleancës përmes misionit të saj KFOR është e domosdoshme./vizionplus.tv

Read Entire Article