Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme se ëhstë ulur norma bazë e interesit.
Gjatë konferencës së përmuajshme për mediat Sejko bëri me dije se norma bazë e interesit ëhstë ulur me 0.25 pikë përqindje për herë të parë që nga marsi 2022.
Ndërsa shtoi se ecuria pozitive e ekonomisë dhe rënia e inflacionit ishin arsyet kryesore të këtij vendimi.
“Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, inflacioni ka ardhur në rënie, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje progresive. Këto zhvillime kanë qenë, në përgjithësi, në linjë me pritjet tona.
Megjithatë, rënia e inflacionit në tremujorin e dytë ishte relativisht e shpejtë, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas. Efektet e kësaj goditjeje në inflacion priten të jenë të pranishme edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit.
Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë shqiptare do të vijojë edhe në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të rritet gjatë vitit 2024 e në vazhdim, ndërsa inflacioni pritet të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë pjesës së mbetur të vitit 2024 dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare, duke synuar të krijojë kushte sa më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve”, tha guvernatori.
Sejko u shpreh gjithashtu se të dhënat tregojnë një përshpejtim të rritjes së pagave në privat, më 12.7% në tremujorin e parë, dhe rritjen e vazhdueshme në sektorin publik, teksa theksoi se ritmi i rritjes së kredisë bankare vijon të përshpejtohet gjatë muajve prill-maj, duke shënuar një nivel mestar rritjeje prej 14%.
Më tej guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi se presionet mbiçmuese të lekut janë rishfaqur në tregun valutor të nxitura nga rritja e ofertës valutore që vjen si pasojë e zgjerimeve të mëtejshme e flukseve të turizmit.
“Të dhënat tregojnë një përshpejtim të rritjes së pagave në privat, më 12.7% në tremujorin e parë, dhe rritjen e vazhdueshme në sektorin publik. Rritja e pagave dhe rënia progresive e inflacionit, kanë mbështetur të ardhurat e disponuara të familjeve dhe ka rritur fuqinë e tyre blerëse.
Nga ana tjetër, rritja e deritanishme e pagave dhe kostove të prodhimit, është përcjellë vetëm pjesërisht në çmimet e konsumit, duke pasqyruar absorbimin e tyre pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe pjesërisht nga rritja e marzheve të fitimit te bizneset.
Politika monetare e ndjekur nga BSH ka patur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetar dhe financiar të vendit. Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i politikës monetare gjatë periudhës 2022-2023 për të mundur reduktimet e presioneve inflacioniste pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike.
Në përgjigje të kësaj politike, tregjet financiare kanë qenë të qeta, të karakterizuara nga likuiditet i bollshëm dhe veprime të ulëta rreziku.
Nga ana tjetër, ndonëse më të zbehta se një vit më parë, presionet mbiçmuese të lekut janë rishfaqur në tregun valutor të nxitura nga rritja e ofertës valutore që vjen si pasojë e zgjerimeve të mëtejshme e flukseve të turizmit.
Ritmi i rritjes së kredisë bankare vijon të përshpejtohet gjatë muajve prill-maj, duke shënuar një nivel mestar rritjeje prej 14%. Zgjerimi i kredisë pasqyron në masën më të madhe rritjen e shpejtë të kredisë në lekë, portofoli i së cilës shënoi një rritje vjetore prej 22% në muajin maj.
Kjo ecuri ka pasqyruar si normat e ulëta të interesit të kredisë në lekë, të cilat kanë rritur kërkesën për këtë segment, ashtu si dhe një kujdes më të madh të bizneseve të familjeve shqiptare në drejtim të ekspozimit të panevojshëm të kursit të këmbimit.
Ky treg ka sjellë rritjen e mëtejshme të peshës së portofolit të kredisë në lekë, duke rritur efektivitetin e politikës tonë monetare dhe duke forcuar stabilitetin financiar të vendit”, tha Sejko.