Në katër muajt e parë të këtij viti, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës udhëtuan 1.1 milionë pasagjerë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Mbështetur në këto të dhëna, pritshmëritë e Autoritetit të Aviacionit Civil janë që ky vit të regjistrojë një numër rekord lëvizjesh në aeroport, duke lënë pas edhe shifrën e 2023.
“Gjatë 2023 në total, aeroporti ka regjistruar dhe ka raportuar te ne një shifër prej 7 milionë e 250 mijë pasagjerë, ndërkohë parashikimi që kemi për vitin 2024, ka devijim shumë të madh. Ne si Autoriteti i Aviacionit Civil parashikuam 8.7 milionë pasagjerë, ndërkohë vetë aeroporti në parashikimet e veta shkonte te 9.2 milionë pasagjerë , por duket që do t’i afrohemi shifrës 10 milionë. Ka një lidhje shumë të madhe midis turistëve të aviacionit dhe turistëve në përgjithësi. Shumica e turistëve në Shqipëri kanë ardhur përmes ajrit. Nëse arrijmë 10 milionë pasagjerë këtë vit, ne presim në total 13-14 milionë pasagjerë, kështu që ruhet trendi i vitit të kaluar, shumica udhëtojnë përmes ajrit”, shprehet Maksim Et’hemaj, drejtor ekzekutiv në Autoritetin e Aviacionit Civil.
Për të përballuar të gjithë fluksin e paregjistruar më parë, terminali i pasagjerëve në aeroport po zgjerohet dhe do të jetë i aksesueshëm brenda kësaj vere.
“A kemi rritur kapacitetet infrastrukturore për të akomoduar këtë fluks? Përgjigja është po. Aktualisht ne kemi 9 vendqendrime më shumë, ku parkojnë avionët. Kemi një rrugë lidhëse që përfundon në fillim të pistës, pra avionët nuk e përdorin më pistën për të lëvizur, por e përdorin vetëm për ngritje. Ky ndryshim infrastrukturor ka bërë që ne të fitojmë 1 minutë për çdo avion që ngrihet. Po zgjerohet terminali, janë 15 mijë metër katrorë shtesë dhe në përfundim të punimeve, sipërfaqja totale e terminalit të pasagjerit shkon në 40 mijë metër katrorë. Duhet të kemi parasysh që terminali fillestar ishte 14 mijë metër katrorë. Pra, 2022-2024, kemi trefishuar kapacitetin e terminalit. Ne duam që ta vendosim në operim brenda sezonit veror 2024, në korrik presim që shtesa e terminalit të jetë operacionale”, thotë ai.
Në vitin e shkuar, me mbi 3.1 milionë pasagjerë, Italia ishte tregu dominues për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pasuar nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Greqia. /vizionplus.tv