Me kokën ulur është paraqitur para gjykatës Esmerald Balla, djali që akuzohet se vrau babain e tij në Shënavlash të Durrësit. Në të njëjtin kafaz me autorin e dyshuar ishte edhe shoku i tij, Edison Brahaj, i riu që sipas prokurorisë, ndihmoi mikun e tij në fshehjen e trupit të Enver Ballës.
Gjykata vendosi arrestin me burg për dy të rinjtë, duke pranuar kështu masën e kërkuar nga organi i akuzës, masë e cila u kundërshtua nga avokatët, të cilët kërkuan masë më të butë.
Lexo edhe :
Related Posts
Ishin provat e përcjella nga policia dhe kërkesa e Prokurorisë të cilat rënduan pozitën e dy të arrestuarve të akuzuar për veprën penale të vrasjes me dashje, armëmbajtjes pa leje, fshehjes së kufomës dhe përkrahjes së autorit të krimit.
30-vjeçari akuzohet se vrau babanë e tij Enver Balla pas debateve dhe konflikteve të vazhdueshme, për një shumë të madhe parash që ishte zhdukur brenda banesës së tyre, para të ardhura nga kursimet familjare.
Në shtëpinë e tyre, familja Balla kishte në një kasafortë një shumë prej 75 mijë eurosh. Grupi hetimor ka dyshime të forta se Esmerald Balla kishte hapur kasafortën me një gur fresibël duke marrë shuma të mëdha. Kjo skemë ishte kuptuar nga viktima, i cili kishte dashur që të merrte para për të ndërtuar banesën e tyre ngjitur.
Pas debateve të forta, babë e bir u nisën drejt stanit të tyre ku gjatë konfliktit Esmerald Balla qëlloi me pistoletë duke lënë të vdekur të atin. Pas kësaj, autori dyshohet se me ndihmën e shokut të tij Edison Brahaj kanë fshehur trupin brenda një pusi, një kilometër larg vendit të vrasjes dhe më pas e kanë mbuluar me goma makinash që mos të dallohej apo të dilte në sipërfaqe nga ujërat.
Djali vrasës kishte paguar shokun e tij me 2 milionë lekë të vjetra për ndihmën e fshehjes së kufomës, ku një pjesë e parave i janë gjetur në banesë pas kontrollit të policisë.
Fillimisht 30-vjeçari mohoi akuzat përpara policisë, por pas presionit nga ana e hetuesve ai pranoi duke thënë se vrau të atin në kushtet e vetmbrojtjes dhe më pas nga frika fshehu trupin. Arma e përdorur në krim u gjet në një kanal pranë vendit ku ishte fshehur edhe trupi i pajetë. /vizionplus.tv