Mazhoranca dhe opozita replikuan së bashku në komisionin e ekonomisë lidhur me kostot me të cilat po ndërtohen rrugët në vendin tonë. Deputeti i opozitës Edmod Spaho hodhi akuza se miliona lekë janë abuzuar me dy prej projekteve rrugore Thumanë-Kashar si dhe tunelin e Llogarasë.
“Po evidentojnë 2 probleme, kostot e rrugëve jo me kot themi rrugë të florinjta, 450 mln euro Thumanë-Kashar me 21 km. E bëtë tenderin e tunelit të Llogarasë, e shpallet kompaninë fituese, anuluat tenderin, e ribëtë me 50 mln euro më shumë”, denoncoi Spaho.
Por zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ju kundërpërgjigj duke i konsideruar deklaratat si të pavërteta, ndërsa tha se denoncimet do të përfundojnë në SPAK.
“Po bën deklarata, nuk po bën pyetje, the një gjë të pavërtetë, the që ka kushtuar 450 mln Thumane-Kashar dhe po të pyes do mbash përgjegjësi për këtë? Sapo the që tenderin e shpallet dhe pastaj e anuluat, në qoftë se këto janë deklarata dhe jo për mbështetësit e PD, vazhdo dhe bjeri, the dy gënjeshtra. Unë po të njoftoj që seriozisht këtë radhë kjo nuk është foltorja e katit të 11-të nëse ti nuk do tërhiqesh dhe do thuash i kam gabim informacionet si 450 mln euro Thumanë-Kashar, si dhe për tunelin e Llogarasë, të betohem, unë do ta çoj në kallëzim penal”, tha Balluku.
Buxheti për infrastrukturën rrugore në vitin që vjen arrin në 33 miliard lekë, me një rritje 14% më shumë se viti aktual. Fokusi i financimeve janë projektet e korridorit të 8 dhe atij blu. /vizionplus.tv