Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas lënien në fuqi të dënimit me një vit burg të demokratit, Ervin Salianji.
Meta e konsideroi vendimin si politik dhe tentativë për t’i “djegur” mandatit dhe mundësinë e rikandidimit në zgjedhjet e ardhshme Salianjit.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas tij, arsyeja që qëndron pas këtij vendimi janë denoncimet e bëra nga Salianji për lidhjet e qeverisë me bandat kriminale.
“Nuk ka nevojë që t’i akuzojë ai, pasi gjykatat e kanë të shkruar në ballë që marrin vendime politike dhe kjo është hakmarrje e qartë ndaj Salianjit për denoncimet e bëra kundër trafikut të drogës ku të përfshirë janë eksponentë të qeverisë. Kjo është edhe një përpjekje për t’i ndaluar atij kandidimin në zgjedhjet e ardhme dhe nuk pritej ndonjë surprizë nga një sistem drejtësie kriminal. Drejtësia është bërë partiake. Ka shumë pak akte të pavarura”, tha ai.
Çfarë është dosja “Babale”?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.
Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti.
Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio s’është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.
Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej.
Më pas prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’.
Salianji është marrë i pandehur, pasi rezultoi si personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë.
Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg./vizionplus.tv