Komisioni mbyllet pa Ilir Beqajn, debate në Parlament për dëshminë e munguar të ish-ministrit të Shëndetësisë për koncesionet

7 hours ago 20

Në orët e para të mëngjesit ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj hyri brenda sallës së Komisionit Hetimor dhe replikoi me deputetët demokratë, moment ky që shënoi edhe fundin e hetimit për dy koncesionet në shëndetësi, kontratën e check up dhe atë të sterilizimit.

Pas dy ditësh pritjeje Ilir Beqaj u kthye në burg pa e dhënë dëshminë e tij ndërkohë që mazhoranca dhe opozita dështuan të gjenin gjuhën e kompromisit për fatin e komisionit hetimor.

Debati u transferua edhe në seancë plenare ku opozita tentoi sërish të kërkonte shtyrjen e hetimit për koncesionet në shëndetësi.

Sipas deputetëve demokratë komisioni jo vetëm që nuk pati kohë të dëgjonte dëshmitarë si Ilir Beqaj apo Vilma Nushi, sipërmarrësja që ka fituar kontratën e check up, por s’ka mundësi as të hartojë raportin final.

Por socialistët përsëriten qëndrimin e tyre se komisionit i ka përfunduar mandati dhe shtyrje nuk do të ketë.

“Keni vendosur të mos i jepni më kohë komisionit hetimor, edhe pse s’ka mbyllur planin e hetimit, i mohoni opozitës të drejtës për të hetuar. Nuk ka dëshmuar ende një prej përfituesve të koncesionit, që merr paratë e taksave të qytetarëve dhe është objekt i komisionit. Ju duhet të shtoni afatin dhe jo ta mbyllni në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet për komisionet”, tha kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi.

“Komisioni është shtyrë dy herë dhe duhet të bëjë detyrën dhe jo të shpërdorojë detyrën”, tha kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Read Entire Article