Sinodi i Hirshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastas, u mblodh sot, më 14 nëntor 2024, në selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës, në përputhje me Statutin e Kishës. Gjatë mbledhjes u zgjodh me vota të plota si Mitropolit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësinë e tij, Episkopin e deritanishëm të Bylisit, z. Asti.
Fronëzimi Mitropolitit të ri do të bëhet më 21 nëntor 2024, në orën 12:00, në Kishën Katedrale të Shën Dhimitrit, në Berat.
Jetëshkrim i shkurtër i Mitropolitit të ri
Hirësia e tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Asti (Bakallbashi), lindi në Durrës, në vitin 1974. Ai kreu i studimet teologjike në Seminarin Teologjik Hieratik, në Durrës (1993-1997), në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Selanikut (1998-2003), dhe studimet pasuniversitare (master) në Omilitikë në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Selanikut (2010-2012).
U dorëzua dhjakon (gusht 2003), kryedhjakon (i Kryepiskopatës) (nëntor 2006), hieromonak (nëntor 2009), arkimandrit (nëntor 2009) dhe Episkop, si Episkop Titullar i Bylisit (janar 2012).
Nga vitit 2012 ka shërbyer si Episkop Ndihmës i Kryepiskopit dhe nga fillimi i 2018-ës si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës.
Krahas veprës liturgjike dhe pimantike, ka shërbyer edhe në disa sektorë të tjerë të Kishës: Në administratën e Kryepiskopatës së Tiranës, si petagog i jashtëm i Akademisë Teologjike në Shën Vlash të Durrësit, ku ka dhënë lëndën e Liturgjikës (2004-2017) dhe të Omilitikës (2015-2017); ka qenë bashkëpunëtor dhe bashkëdrejtues i Stacionit Radiofonik “Ngjallja” (që nga viti 2005), bashkëdrejtues i Lidhjes Rinore të Mitropolisë së Tiranës (2010-2018) dhe anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (2018 e deri më sot).
Gjatë shërbimit të tij, ai ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare dhe ka përfaqësuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në takime të ndryshme ndërorthodhoske dhe ndërkristiane.