Demokrati Ervin Salianji ka reaguar menjëherë pas lënies në fuqi të dënimit me një vit burg nga Apeli i Posaçëm lidhur me dosjen “Babale”.
Salianji e konsideroi si vendim politik, duke nënvizuar se e gjitha është orkestruar nga Partia Socialiste, për të cilën nuk i kurseu akuzat.
Lexo edhe :
Related Posts
“Është një vendimmarrje e gjykuar nga gjyqtarë që është njësoj si të gjykojë një përfaqësues i PS një seksion të PD. Nga të dhënat që kam mbledhur këto ditë duke marrë parasysh se vendimmarrja u shty pa pasur arsye të shtyhej dhe të merrej sot, njëra prej gjyqtarevë është kunata e Belinda Ballukut”, tha ai. “Në të gjithë elementët të një dosje të kopsitur nga fillimi deri në fund e bën këtë një vendimmarrje politike, dënim politik”, shtoi ai.
Ndonëse ende nuk dihet “lëvizja” e radhës e Salianjit, i cili gëzon edhe imunitetin e deputetit, ai theksoi se është i gatshëm të japë kontributin e tij për shqiptarët në cilindo skenar.
Ai theksoi se do të bëjë fushatë elektorale qoftë edhe nga burgu, duke shtuar se është i dënuari i parë politik në këto 34 vite.
“Do të bëjë një fushatë të jashtëzakonshme. Jam i dënuar i parë politik në këto 34 vite, do ta bëj nga burgu (fushatën)”, tha ai.
Bëhet fjalë për nje vendim të datës 12 prill 2018 të gjykatës së krimeve të rënda që pushoi hetimet për trafik droge ndaj Geron Xhafës.
Vendimi i është dorëzuar Apelit të Përgjithshëm, nga mbrojtësi i Geron Xhafes, Ardian Visha javën e kaluar, pasi u mbyll shqyrtimi gjyqësor, gjë që sot shkaktoi debat pasi pritej vetëm shpallja e vendimit e jo depozitimi i provave të reja.
Mbrojtja e Ervin Salianjit pretendon se ky vendim përsa kohë nuk ka marrë formë të prerë, nuk është i ligjshëm.
Çfarë është dosja “Babale”?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.
Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti.
Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio s’është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.
Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej.
Më pas prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’.
Salianji është marrë i pandehur, pasi rezultoi si personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë.
Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg./vizionplus.tv