Një auomjet tip “Opel”, nëpronësi të një punonjësi të policisë, është djegur në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë paraditen e kësaj të hëne.
Policia njofton se është bërë djegie e qëllimshme e automjetit, e si pasojë janë arrestuar dy shtetas Klaudio Gjokhilaj, 24 vjeç dhe Klaudio Kovaci, 22 vjeç, të dyshuar për ngjarjen.
“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë nën drejtimin e Prokurorisë, vijuan hetimet e thelluara për zbardhjen e shkakut të përfshirjes nga zjarri të automjetit të shtetasit R. Z., oficer i Patrullës së Përgjithshme, trup shërbimi, në Komisariatin e Policisë Lezhë. Si rezultat i hetimeve dhe provave të siguruara gjatë hetimit në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar dhe në inteligjencën policore u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Klaudio Gjokhilaj, 24 vjeç dhe Klaudio Kovaci, 22 vjeç, të dy banues në Lezhë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mëngjesin e sotëm, dyshohet se për shkak të detyrës, i kanë djegur automjetin shtetasit R. Z., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Lezhë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, njofton policia./vizionplus.tv