Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri Volodymyr Shkurov ka mbajtur fjalën e tij gjatë ceremonisë të mbajturnë kryeqytet në shenjë solidarizimi me Ukrainën në 2-vjetorin e pushtimit rus.
Shkurov shprehu falenderimet e tij për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj vendit të tij në dënimin e agresionit rus në Ukrainë, të nisur në 24 shkurtin e dy viteve më parë.
“Ju falënderoj për mbështetjen dhe solidaritetin për atë që ne jemi këtu sot, për të dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës. Asnjëherë nuk do e harrojmë mëngjesin e para dy viteve si sot. Këto dy vite agresioni na kanë treguar cilët janë miqtë dhe armiqtë tanë. Ukrainasit guximtarë patën besim në veten e tyre dhe po luftojnë edhe sot për fitoren ndaj agresorit. Më dhemb kur e them që Rusia po mbledh trupa dhe numër të madh ushtarësh. Mbi 20% e Ukrainës është sot e pushtuar. Tani Rusia ka rritur numrin e sulmeve masive mbi territorin ukrainas me përdorimin e raketave dhe dronëve të ndryshëm. Jam mirënjohës për qeverinë shqiptare që ka zgjatur rezidencën për ukrainasit që u detyruan të largohen nga vendi i tyre. Falënderoj aleatët tanë që kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar. Dua të falënderoj bashkinë e Tiranës për ndihmën e vazhdueshme dhe një përshëndetje për të gjithë pjesëtarët e politikës shqiptare dhe përfaqësuesit e ambasadave që janë prezentë këtu ”, tha Shkurov mes të tjerash. /vizionplus.tv