Ekselentët braktisin Shqipërinë, shumë të rinj zgjedhin të studiojnë jashtë e të mos kthehen

8 months ago 28
Reklamë

Nga Borana Demiri

Angela Riço është njëra nga maturantet ekselente në vitin 2023 e cila zgjodhi të ndjekë studimet e larta jashtë Shqipërisë.

Nga 162 nxënës me rezultate të shkëlqyera, 41 prej tyre morën të njëjtin vendim.

“Studioj për shkenca ekonomike në universitetin e Lozanës në Zvicër dhe kam qëllim që masterin ta vazhdoj në shkenca aktuaristike, është një degë që merret me aplikimin e matematikës dhe statistikës në analizën e rrisqeve por jo vetëm. Aplikohet kryesisht në kompanitë e sigurimit dhe në sistemet bankare. Në Shqipëri nuk ekziston as programi bachelor apo master prandaj zgjodha edhe të iki në Zvicër. Shikoj shumë potencial në Shqipëri sepse është në fillimet e saj dhe e konsideroj që të jem pjesë e zhvillimit të kësaj dege në vendin tonë. Vendimi për tu kthyer, do të varet nga disa faktorë dhe do ti mbetet të ardhmes por dëshira është që të kthehem dhe të sjell risi”, tregon studentja.

Eksperti i çështjeve të arsimit, punësimit dhe karrierës, Erion Muça vëren se studentët që formohen në vende më të zhvilluara përbëjnë një kontigjent shumë të rëndësishëm për shoqërinë tonë.

“Ka një dominancë shumë të lartë të studentëve shqiptarë për të vazhduar studimet jashtë, kryesisht në tre drejtime kryesore: Shkencat mjekësore, në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit dhe në degë specifike që kryesisht lidhen me pasionet e tyre. Degët e tjera më pak të njohura lidhen shumë me kërkesa specifike nga jashtë vendit apo me njoftime dhe oferta akademike që bëjnë universitetet ndërkombëtare përmes mundësive online ku ofrojnë jo vetëm bursa por edhe akomodim dhe ushqim me kosto shumë të ulët që bëjnë të mundur të tërheqin studentë nga vende të ndryshme të botës”, thotë Muça.

Por përvoja në dekadën e fundit reflekton pesimizëm sa i takon rikthimit në tregun shqiptar të punës.

“Numri i studentëve të kthyer në pesë vitet e fundit nuk përbën më shumë sesa 5% e atyre që janë larguar. Shumica e atyre që vijnë përballen me një terren shumë të vështirë, gati zhgënjyes për ta. Shumica e atyre që kthehen synojnë administratën publike ndërsa në sektorin privat është thuajse i pamundur. Kjo për faktin se tregu shqiptar i punës nuk ka standarde dhe sisteme menaxheriale të tilla që ti mbështesë ata. Ka pasiguri”, thotë ai.

Për më tepër, fenomeni i ashtuquajtur “largim i trurit” vijon të ketë prirje rritëse.

“Largimi i trurit është një fenomen shumë negativ, përbën 20-25% e atyre që lënë vendin. Kjo do të bëjë që tregu i punë të mos jetë tërheqës për investime të mëdha ndërkombëtare, të ketë vështirësi reale për rritjen dhe zhvillimin e sektorëve të caktuar dhe mungesa e burimeve njerëzore do të çojë drejt mbylljes së aktivitetit në shumë industri”, shprehet eksperti.

Ndërsa modernizimi dhe standardizimi i proceseve të brendshme në një pjesë të mirë të industrive, nevojitet të marrë prioritet. /vizionplus.tv

Read Entire Article