Ekspertizë e huaj për 21 janarin, Prokuroria: Do mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Evropiane

9 months ago 29

13 vjet nga vrasja e katër protestuesve  në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndihmën e autoriteteve të huaja për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

Fjala është për predhën që është gjetur në kokën e Aleks Nikës, por edhe prova të tjera që ende nuk janë zbardhur e që lidhen me vrasjen e Hekuran Dedes.

“Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit, është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe këqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet.”

Organi i akuzës bën të ditur se në hetimet që do kryejë do marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të njeriut, ku thuhet se vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës ishte krim shtetëror.

“Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, bëjmë me dije se gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal.”

Prokuroria pranoi se megjithë hetimet e kryera vrasja e protestuesve dhe plagosja e gjashtë personave të tjerë është ende pa autor. Më 21 janar gjetën vdekjen në mes të bulevardit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj  gjatë protestës se opozitës se atëhershme që drejtohej nga Partia Socialiste./vizionplus.tv

Read Entire Article